Procesi i Berlinit mbledh sërish ministrat e ekonomisë dhe punës të Ballkanit Perëndimor në kryeqendrën gjermane. Në fokus të takimit ishin reformat ligjore, luftimi i emigrimit dhe harmonizimi i tregut të punës me standardet evropiane. Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, nga Berlini theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet model për rajonin sa i përket masave aktive për punësim.

“Sot, me ftesë të Ministrisë Federale të Gjermanisë për Punë dhe Politikë Sociale, kemi marrë pjesë të gjithë ministrat e ekonomisë dhe punës të Ballkanit Perëndimor, me tema që kanë të bëjnë me problemet kyçe me të cilat ballafaqohemi ne në Ballkanin Perëndimor, të cilat janë: mungesa e punës, problemi me emigrimin, si dhe një diskrepancë e madhe mes ofertës dhe kërkesës për vendet e punës. Çfarë duhet të bëjmë që të harmonizojmë ligjet tona me ligjet e Bashkimit Evropian, që të arrijmë të kemi punë më dinjitoze për qytetarët tanë, si dhe të jenë më konkurrues në tregun e punës”, tha Besar Durmishi – minstër i Ekonomisë.

Derisa foli për masat konkrete të ndërmarra në nivel nacional, ministri Durmishi e cilësoi Maqedoninë e Veriut si një lider rajonal sa i përket sukseseve të planit operativ për punësim.

 “Maqedonia e Veriut, prej të gjitha vendeve të tjera, është shembull në rajon—më konkretisht në Ballkanin Perëndimor—sa i përket planit operativ të cilin e kemi zbatuar vitin që shkoi, ku kemi arritur që 2,500 qytetarë të rinj dhe të reja të vetëpunësohen apo të hapin kompani dhe të jenë konkurrues në tregun e punës. Po ashtu, edhe për këtë vit parashikojmë masa ku do të arrijmë të përfshijmë gjithsej 10,000 qytetarë të vendit tonë në planin operativ, i cili do të kapë vlerën prej 40 milionë eurove. Shumë shpejt do të bëhet aktiv dhe do të fillojë implementimi i atij plani. Edhe një herë duhet të potencoj që vendi ynë është shembull sa i përket realizimit të këtij plani”, theksoi Besar Durmishi – minstër i Ekonomisë.

Ky takim vjen në një moment kritik, kur Maqedonia e Veriut po kërkon të forcojë pozitat e saj si lider rajonal në reformat ekonomike. Procesi i Berlinit ka shërbyer si katalizator që politikat sociale të Shkupit të harmonizohen me ato të Brukselit, duke vënë në lëvizje fonde që synojnë drejtpërdrejt tregun e punës dhe inovacionin.