Profilet pro-Trump fshehin prejardhjen maqedonase pas ndryshimeve në “X”

Profile që promovojnë kauzën e Donald Trump në rrjetin social “X”, e që deri dje shfaqnin hapur Maqedoninë si vend prejardhjeje, sot kanë ndryshuar të dhënat. Disa janë mbyllur plotësisht, duke pamundësuar shikimin e postimeve të mëparshme, ndërsa të tjerët gjatë natës e kanë zëvendësuar shenjën “prejardhje nga Maqedonia” me “prejardhje nga Europa Lindore” ose nga vende të tjera.

Shumë profile të verifikuara që paraqiten si mbështetës të presidentit amerikan Donald Trump, e që janë nga Maqedonia ose vende të tjera të botës, brenda natës filluan të ndryshojnë emrat e tyre të përdoruesit. Ndërkohë, disa po fshijnë informacionet paraprake ose po mbyllen tërësisht, pasi funksioni i ri i “X” tregoi prejardhjen e vërtetë të këtyre llogarive.

Funksioni “About this account”, i cili u bë i disponueshëm globalisht këtë javë, tregon nga cili vend është profili, nga cili rajon lidhet, sa herë është ndryshuar emri i përdoruesit dhe çfarë statusi verifikimi ka llogaria.

Disa nga profilet që nuk janë me origjinë nga SHBA tashmë janë mbyllur, duke e pamundësuar publikun të shohë postimet e tyre të kaluara.

Një shembull është një profil me mbi 120 mijë ndjekës, që funksiononte si fan-llogari e Donald Trump. Aksesi në këtë profil është kufizuar pikërisht në periudhën kur u shfaqën kritikat për prejardhjen e tij nga llogari të tjera në “X”.

Po ashtu, fan-profili i Eric Trump, njërit prej djemve të presidentit amerikan, tani në vend të “Maqedoni” shfaq prejardhje “Europa Lindore”, ndërsa profili i verifikuar me lajme për Barron Trump gjithashtu nuk figuron më si maqedonas, por si profil nga “Europa Lindore”.

Përdorues të “X” publikojnë shembuj të shumë llogarive nga Maqedonia dhe vende të tjera, duke theksuar prejardhjen e dyshimtë të profileve dhe joetikën e lokacioneve të papritura që ata shfaqnin.