Kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West ka kërkuar 45 vjet burgim për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Ajo ka pretenduar, se të akuzuarit kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokurorja e Specializuar, Kimberly West tha “nuk kërkojmë dënim për shtabin e përgjithshëm por për persona konkret”.

“Ne i qëndrojmë faktit që ne kërkojmë dënimin e personave konkret, ne nuk kërkojmë një dënim për shtabin e përgjithshëm por për persona konkret. Ndërkohë, ZPS kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe vendosjen e një vendimi të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të bëra ose të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë të rënda në natyrë dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës, vazhdojnë të mbetën ende shumë të rënda”, deklaroi ajo.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur fjala përfundimtare e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Kjo paraqet fazën përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar tetë orë kohë për parashtrimet e saj. Të pranishëm në sallën e gjyqit janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Në fjalën e saj, prokurorja ka pretenduar se të akuzuarit kanë vrarë mbi 100 persona dhe kanë abuzuar me qindra të tjerë. Sipas saj, këtu përfshiheshin personat e lidhur me LDK-në, romë e serbë.

“Të gjitha i kanë bërë në përpjekje për të ndihmuar për krijimin e një historiku të besueshëm dhe të ndershëm të ngjarjeve nga 1998-1999, ku mbi 100 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë abuzuar në dhe përreth 50+ kampe ndalimi të UÇK-së. Kjo çështje ka të bëjë me qëllimin e këtyre katër të akuzuarve për të ushtruar kontroll në të gjithë Kosovën, kjo vendosmëri për kompetencë dhe fuqi u has me diçka dhe kjo kishte të bënte me persona të cilët i kishin dalë përpara dhe që konsideroheshin si oponentë, persona të cilët ose ishin ose perceptoheshin që ishin bashkëpunëtorë me forcat serbe ose zyrtarë serbë, ose institucione shtetërore ose që nuk mbështesnin synimet dhe mjetet e UÇK-së dhe më pas të qeverisë së përkohshme të Kosovës. Shpesh këtu përfshiheshin personat lidhur me LDK-në, persona me enticitete rome dhe serbe. Dhe në mënyrë që të arrinin qëllimin e tyre, të akuzuarit kanë kryer krime kundër kundërshtarëve të tyre të përceptuar për të pasur kontroll në gjithë Kosovën”, tha ajo.

Vitin e kaluar në Dhomat e Specializuara në Hagë kanë dëshmuar në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi shtatë personalitete të njohura ndërkombëtare. Prokurorja e specializuar ka pretenduar se këta dëshmitarë “nuk ishin të njohur me strukturën e UÇK-së”.

“Shtatë dëshmitarët ndërkombëtarë janë hedhur në një situatë me pak informacion lidhur me aktorët kryesor të përfshirë, nuk e kanë folur gjuhën në atë kohë, kanë ndërvepruar ballë për ballë me aktorët kryesor vetëm për pak herë dhe thuajse nuk kanë parë asnjëherë rregulloren, urdhrat dhe komunikatat e UÇK-së dhe nuk ishin aspak të njohur me strukturën e UÇK-së”, shtoi ajo.

Dy javët në vazhdim prokuroria, ekipi mbrojtës dhe të pandehurit do të kenë mundësinë që për herë të fundit t’i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces, shkruan KosovaPress.

Të pranishëm në sallën e gjyqit janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

The post Prokuroria e Hagës kërkon 45 vite burg për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Jakup Krasniqin appeared first on Alsat.