
Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës ka hapur procedurë dhe ka lëshuar disa urdhra dhe udhëzime ndaj SPB Kumanovë për të hetuar nëse ka elemente të veprës penale në skandimet me gjuhë të urrejtjes nga persona ende të panjohur, të bëra gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet përfaqësueseve të Maqedonisë dhe Rumanisë, njoftuan sot nga Prokuroria e RMV.
Prokuroria ka urdhëruar gjithashtu sigurimin e incizimeve nga kamerat e sigurisë me qëllim identifikimin e mundshëm të autorëve.
Dënim për skandimet e papërshtatshme nga disa individë gjatë ndeshjes kanë shprehur sot edhe partitë politike nga pushteti dhe opozita, Komuna e Kumanovës si dhe Federata e Basketbollit e Maqedonisë.
Dje në Kumanovë u vu në përdorim salla e rinovuar sportive, me një ndeshje mes ekipit kombëtar të Maqedonisë dhe atij të Rumanisë. Organizator i ngjarjes ishte Federata e Basketbollit të Maqedonisë, ndërsa nikoqir ishte Komuna e Kumanovës.
