Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se e ka intervistuar deputetin e LDK-së Armend Zemaj si të dyshuar për sulmin e djeshëm fizik ndaj një qytetari në qendër të Prishtinës. Prokuroria ka thënë se është intervistuar edhe qytetari, të cilit Policia i ka shqiptuar gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Veprimi i deputetit Zemaj po kritikohet nga anëtarë të shoqërisë civile.Mu përballë Kuvendit të Kosovës, sheshi “Ibrahim Rugova” u bë skena e një incidenti fizik në mes deputetit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj dhe një qytetari.
Incidenti që nisi pasi qytetari e quajti “rrenc” deputetin Zemaj derisa ai po jepte intervistë, përfundoi me të dyja palët në stacion policor për t’u intervistuar.
E tanimë rasti ka arritur edhe në duart e Prokurorisë.
“Prokurori kujdestar ka intervistuar të dyshuarin i cili dyshohet për veprën penale “Sulmi” nga neni 184 te Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për çështjen në fjalë. Për më shumë informacione, ju njoftojmë me kohë. Të dy janë intervistuar nga Prokurori. Të dëmtuarit, Policia e Kosovës i ka lëshuar një tiketë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike ”.- Prokuroria Themelore në Prishtinë
Kritik ndaj veprimit të deputetit Zemajt shprehet Instituti i Kosovës për Drejtësi, marrë parasysh pozitën e lartë që ai mban.
“Politikanët duhet të jenë shembull i tolerancës dhe mirëkuptimit edhe në rastet kur janë subjekt i ofendimeve apo sulmeve fizike sikurse ndodhi me rastin e deputetit Zemaj. Politikanët dhe secili që ushtron funksione publike në interes të publikut duhet të shmangin situatat e konfrontimit fizik apo debatet me gjuhë denigruese me qytetarët”-Ehat Miftaraj, Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi.
The post Prokuroria interviston Zemajn si të dyshuar për incidentin me qytetarin appeared first on Alsat.



