Policia e Shkupit deri në Prokurorinë Themelor ka paraqitur kallëzim penal kundër u.d. drejtor i Higjienës Komunale Sabahudin Rustemi dhe përgjegjësit për mbeturinat në të njëjtën ndërmarrje Aki Saiti – nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina”. Sipas MPB-së, të dyshuarit kanë vepruar së bashku në kundërshtim me Ligjin për menaxhimin e mbeturinave si dhe me detyrimet e parashikuara në Programin Operativ për mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave.

Duke mos ushtruar mbikëqyrje të plotë mbi mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave komunale, si dhe me menaxhim të parregullt të mbeturinave, ata kanë mundësuar që gjatë këtij muaji të krijohen deponi të vogla në sipërfaqe publike dhe rrugore, pranë kontejnerëve të parashikuar për mbledhjen e mbeturinave komunale, me çrast kanë shkaktuar dëmtim të konsiderueshëm të cilësisë së tokës, ajrit dhe ujit, duke vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njerëzve nga shkaktimi i sëmundjeve ngjitëse ose të tjera”, tha Goce Andreevski, zëdhënës i MPB.

Këto dyshime, siç kumtoi zëdhënësi i MPB-së dhe Prokuroria, janë konstatuar dhe verifikuar edhe nga inspektimet e jashtëzakonshme për mjedisin jetësor, si dhe nga mendim ekspertësh mbi ndikimin e mbeturinave në shëndetin publik dhe mundësinë e përhapjes së sëmundjeve infektive, të lëshuar nga Instituti për Shëndet Publik.

“Për shkak të rrezikut të ndikimit ndaj dëshmitarëve dhe mundësisë për përsëritjen e veprës, prokurori publik i ka dorëzuar Gjykatës Themelore Penale të Shkupit propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dy të dyshuarit”, thonl nga Prokuroria.

Rustemi dhe Saiti u ndaluan nga policia pasditen e 27 tetorit. Sabahudin Rustemi, drejtor i Higjienës Komunale, është emëruar më 29 janar 2025 nga kryetarja e Shkupit Danella Arsovska. Nga 2017 deri në 2021 ka mbajtur postin e drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Saraj”, ndërsa në periudhën 2023-2024 ka qenë zëvendësdrejtor i Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërime” në Shkup.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, reagoi pas arrestimit, duke e quajtur këtë veprim një përpjekje të “regjimit të Mickovskit dhe MVRO-së” për të mbjellë frikë para raundit të dytë të zgjedhjeve.