Prokurori publik nga Prokuroria themelore publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit sot solli urdhër për zbatim të procedurës hetimore kundër dy personave, të dyshuar për marrje të ryshfetit për mjekim spitalor të personave. Sipas prokurorisë, i dyshuari i parë, si person zyrtar – drejtor i IPSH Spitali i specializuar për mjekësi gjeriatrike dhe paliative në Shkup, përmes të dyshuarit të dytë, person i tij i besueshëm, kërkoi shpërblim prej 100 mijë eurove për kujdes të personit në spital. Prokuroria thotë se më 8 prill të këtij viti, i dyshuari i dytë është kapur se si në emër të drejtorit në mënyrë të drejtpërdrejtë ka marrë 20 mijë euro.

“I dyshuari i parë, si drejtor si person zyrtar – drejtor i ISHP Spitali i Specializuar për Mjekësi Gjeriatrike dhe Paliative në Shkup, në periudhën nga 19.03.2025 deri më 08.04.2025, në disa raste ka kërkuar drejtpërdrejt përfitim material të konsiderueshëm për vete që të kryejë një veprim zyrtar që kishte për detyrë ta kryente. Ai, siç informojnë nga Prokuroria, është i dyshuar për veprën – marrje e ryshfetit nga neni 357 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal. Ryshfetin e ka kërkuar nga dëshmitarja në procedurë – kujdestare me kontratë për përkujdesje të përjetshme për një person i cili vuante nga disa gjendje shëndetësore dhe për të cilin, sipas rekomandimeve mjekësore, ishte e nevojshme të shtrohej në spitalin e lartpërmendur. Kur dëshmitarja u drejtua në institucion për shkak se gjendja e pacientit ishte përkeqësuar, ajo u informua se pacienti ishte vendosur në listën e pritjes për pranim. Pas disa ditëve, ka marrë telefonatë nga i dyshuari i dytë, i cili caktoi takim me drejtorin e Institucionit më 19.03.2025 në orët e mbrëmjes, në një lokal në Shkup. I akuzuari i dytë, siç informon Prokuroria, është i dyshuar për ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale marrje e ryshfetit”, thuhet në njoftim të Prkurorisë.

Nga Prokuroria thonë se më pas ka pasur takim mes dëshmitares dhe dy të dyshuarve.

“Në takim, i dyshuari i parë i ka thënë personalisht se e di që pacienti është në gjendje të qëndrueshme financiare dhe se kishte informacione për pronën e paluajtshme që zotëronte. Ai premtoi ndihmë për shtrimin e tij në spital nëse shpërblehet me 100.000 euro. Gruaja – dëshmitare ka reaguar se kjo është një shumë shumë e madhe, ndërsa drejtori ka propozuar që shuma të sigurohet përmes shitjes së banesës së pacientit, e cila nuk ishte opsion sepse banesa ishte përfshirë në kontratën për përkujdesje të përjetshme. Më 03.04.2025 është realizuar një takim mes dëshmitares dhe ndihmësit, si person në të cilin drejtori kishte besim të plotë, ndërsa më 04.04.2025 dëshmitarja është takuar sërish me të dy të dyshuarit. Është rënë dakord që dëshmitarja të japë 20.000 euro si garanci për shtrimin e pacientit në spital, dhe nëse i dyshuari i parë, përmes “verifikimeve”, konstaton se pacienti ka edhe ndonjë pronë tjetër të paluajtshme, ajo të shitet për të siguruar shumën e kërkuar prej 100.000 eurove. Në pajtim me këtë marrëveshje, më 08.04.2025 dëshmitarja është takuar me të dyshuarin e dytë, i cili hyri në automjetin e saj dhe në emër të drejtorit pranoi drejtpërdrejt shumën prej 20.000 eurosh, pas çka u kap në vendngjarje nga zyrtarët e policisë.”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë.

Prokurori publik i dorëzoi gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dy të dyshuarit.

MPB, dje informoi se janë arrestuar dy persona nën dyshimin për vepra penale “marrje të ryshfetit” dhe “marrje të shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”, pas çka drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev konfirmoi se në aksion të koordinuar me Prokurorinë themelore publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë arrestuar dy persona, mes të cilëve edhe drejtori i një institucioni shëndetësor, për shkak të dyshimit për marrje të ryshfetit në shumë prej 20.000 eurove.

Nga Aleanca për Shqiptarët dje reaguan në lidhje me arrestimin e drejtorit të IPSH Spitali i specializuar për mjekësi geriatrike dhe paliative “13 Nëntori”, nën dyshimet për marrje të ryshfetit. Potencuan se drejtësia duhet të jetë joselektive dhe në pajtim me të gjithë mekanizmat kushtetues-juridik dhe vlerat themelore.

Drejtori i Spitalit geriatrik “13 Nëntori”, Muhsin Arifi ishte emëruar u.d. drejtor i Geriatrisë në korrik të vitit të kaluar nga ana e ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari. Më parë ka qenë drejtor i spitalit psikiatrik në Bardocë.