Gazetar: Bashkim Sulejmani
Prokuroria Themelore e Tetovës njoftoi se vdekja e 25-vjeçares D.S., nga Kosova, nuk ka elemente të veprës penale. Megjithatë, organi hetimor bën të ditur se po punojnë në mënyrë intensive për zbardhjen e rastit dhe arsyet që e shtynë 25 vjeçaren t’i jep fund jetës.
“Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë dje ka kryer ekspertizë në vendin ku është gjetur trupi i pajetë i një gruaje të re, si edhe në banesën me qira ku ajo kishte qëndruar. Po ndërmerren të gjitha veprimet për të hetuar shkaqet e vdekjes me kontrolle dhe ekspertiza të detajuara në vendngjarje, ndonëse të dhënat fillestare dhe gjurmët në terren nuk tregojnë se bëhet fjalë për vdekje si pasojë e një vepre penale”, thonë nga Prokuroria.
Por edhe përkundër faktit se nuk janë konstatuar elemente të veprës penale, nga Prokurori kujdestar, është urdhëruar obduksioni i trupit të pajetë të vajzës. 25-vjeçarja D.S., ishte nga Gjakova, ndërsa në Tetovë, po ndiqte vitin e katërt të studimeve.
Sipas burimeve të televizionit Alsat brenda Sektorit të Punëve të Brendshme të Tetovës, e ndjera, edhe më parë kishte tentuar disa herë t’i jepte fund jetës, ndërsa dyshohet të ketë konsumuar edhe sedativë gjë që është konstatuar edhe gjatë ekspertizës në vendin e ngjarjes.
Për rastin në fjalë, mbrëmë ka reaguar edhe ambasada e Kosovës në vendin tonë.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup është njoftuar para pak orësh nga Policia Rajonale e Tetovës se sot, rreth orës 18:00, në një lagje të këtij qyteti është gjetur pa shenja jete një shtetase e Republikës së Kosovës. Ambasada ka vendosur menjëherë kontakt me autoritetet relevante policore dhe po e ndjek nga afër zhvillimin e rastit,” thuhet në njoftimin e ambasadës.
Trupi i pajetë i 25 vjeçares D.S., është gjetur mbrëmë në parkingun e një banese afër Tregut të Gjelbër në Tetovë ndërsa dyshohet se ajo është hedhur nga pallati ku banuar. / Alsat.mk
The post Prokuroria: S’ka element të veprës penale – Vajza nga Kosova dyshohet se është hedhur nga pallati ku banonte me qira appeared first on Alsat.

