Një vajzë e mitur me origjinë shqiptare, e cila jeton në provincën e Raguzës, në Itali, është vendosur nën masë kujdesi në një komunitet, pas dyshimeve për radikalizim dhe përhapje të përmbajtjeve me karakter xhihadist në rrjetet sociale.
Sipas autoriteteve italiane, e mitura dyshohet se publikonte në TikTok materiale propagandistike në mbështetje të organizatës terroriste ISIS, si dhe përmbajtje me simbolika ekstremiste dhe mesazhe antisemitiste. Aktiviteti i saj në internet tërhoqi vëmendjen e shërbimeve të sigurisë së brendshme italiane, AISI, të cilat njoftuan autoritetet gjyqësore.
Hetimet u intensifikuan pas sekuestrimit të telefonit të saj celular në muajin maj. Sipas Policisë së Shtetit italian, nga analiza e pajisjes u zbuluan materiale që dyshohet se tregonin një proces radikalizimi, përfshirë përmbajtje të lidhura me propagandën e Shtetit Islamik, simbolika të ekstremit të djathtë dhe imazhe që mund të jenë krijuar me anë të inteligjencës artificiale.
Gjatë hetimeve, autoritetet pretendojnë se janë zbuluar edhe kontakte në internet me persona që paraqiteshin si anëtarë të ISIS-it, si dhe me përdorues që promovonin akte terroriste. Në pajisjen e saj dyshohet se gjendeshin video propagandistike që paraqisnin ekzekutime të të burgosurve, materiale në mbështetje të organizatës terroriste dhe udhëzime për vetëtrajnimin dhe prodhimin e eksplozivëve artizanalë.
Sipas të dhënave të bëra publike, hetimet përfshinë edhe verifikime në mjedisin shkollor. Autoritetet raportuan se vajza kishte ndryshuar disa nga zakonet e saj dhe kishte kufizuar shoqërimin me bashkëmoshatarë.
Prokuroria për të Miturit në Katania lëshoi masën e sigurisë, e cila u ekzekutua nga Digos, njësia e policisë italiane që merret me hetimet për terrorizmin dhe sigurinë publike.
Ajo dyshohet për vetëstërvitje me qëllime terroriste. Çështja mbetet nën hetim dhe akuzat ndaj saj duhet të vlerësohen nga drejtësia./TVKlan
