Gazetar: Bashkim Sulejmani
Më së voni për dy muaj para këshilltarëve në Komunën e Tetovës do të vendoset propozimi final i Komisionit për Emërtimin e Rrugëve. Sipas Bilall Kasami, nga komisioni do të varet nëse do shkohet vetëm me emërtim të rrugëve që janë pa emra apo do të shkohet edhe me ndërrimin e emrave të rrugëve ekzistuese, që i përkasin periudhës së ish komunizmit.
“Unë besoj që në momentin e parë që do të ketë një draft të propozimeve të komisionit të dakorduar mes anëtarëve do dalim me informata. Unë besoj që në një afat prej dy muajve do të dalim me propozimin e parë që do i prezantohet opinionit.”, deklaroi Bilall Kasami. Kryetar i Komunës së Tetovës.
Kasami sot bëri të ditur se për çështjen e emërtimit të rrugëve është biseduar edhe në Qeveri.
“Eedhe përkundër presionit të opinionit, ne po e ecim shumë me kujdes këtë problematikë, se për tredhjet vjet nuk është bërë gjë, edhe kur është sjellë një vendim fatkeqësisht është bë jo në konsultim deri në fund me ligjin dhe faktorët politik, andaj jemi duke ecur me kujdes këtë çështje që Tetova më në fund të ketë emra të rrugëve”, theksoi Bilall Kasami. Kryetar i Komunës së Tetovës.
Muaj më parë në Gjykatën Kushtetuese u ankimua çështja e përdorimit të emrave të rrugëve që u ndryshuan me vendimin e vitit 2007, por kreu i komisionit Albi Qamili, tha se këto emra do vazhdojnë të përdoren deri në një vendim të ri. Në Tetovë gjithsej ka 297 rrugë, 216 nga të cilat janë vetëm me numra apo që nuk janë aspak të evidentuara e që institucionet shpesh hasin në pengesa për dërgesat e letrave të ndryshme./Alsat.mk.
The post Propozimi për emërtimin e rrugëve në Tetovë, gati brenda dy muajve appeared first on Alsat.
