Franca ka shtuar masat e sigurisë në prag të protestave të paralajmëruara për këtë të shtunë. Rreth 70 mijë policë dhe xhandarë janë angazhuar në të gjithë vendin, ndërsa autoritetet druhen nga përsëritja e skenave të dhunës, plaçkitjeve dhe sulmeve ndaj institucioneve publike.
Forcat e sigurisë janë shtuar me rreth 10 mijë efektivë më shumë krahasuar me protestat e 17 tetorit. Plani përfshin edhe automjete të blinduara, helikopterë, topa uji dhe njësi speciale, me qëllim parandalimin e përplasjeve të reja.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, ka paralajmëruar se autoritetet nuk do të tolerojnë akte dhune dhe shkatërrimi. Ndërkohë, në më shumë se 100 qytete janë vendosur kufizime, përfshirë ndalimin e protestave në zona të caktuara dhe kufizimin e lëvizjes gjatë natës.
Masat e sigurisë kanë prekur edhe jetën kulturore dhe sportive. Në Paris, të shtunën do të jenë të mbyllura disa institucione të rëndësishme, përfshirë Muzeun e Luvrit, Musée d’Orsay dhe Operën e Parisit.
Edhe panairi ndërkombëtar i artit Art Basel Paris ka anuluar programin e fundjavës, ndërsa ndeshja mes Paris Saint-Germain dhe Lyon është shtyrë për të hënën për arsye sigurie.
Në përpjekje për të ulur tensionet, presidenti Emmanuel Macron është takuar me përfaqësues të organizatave të nxënësve. Megjithatë, këta të fundit kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë nëse nuk plotësohen kërkesat për përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe reformimin e sistemit të pranimit në universitete.
Protestat, që vijojnë prej disa javësh, lidhen me pakënaqësitë për rritjen e kostos së jetesës, presionin mbi të ardhurat dhe problemet në shërbimet publike.
Qeveria franceze tashmë përballet me një sfidë të dyfishtë: të parandalojë përshkallëzimin e dhunës dhe të gjejë zgjidhje për pakënaqësitë sociale që kanë nxitur mobilizimin e qytetarëve.
