Nëpërmjet protestave masive, qytetarët në Bullgari kërkojnë nga Qeveria që të tërheqë projekt buxhetin për vitin e ardhshëm i cili parasheh rritjen e taksave dhe kontribute shtesë të sigurimeve shoqërore. Ata gjithashtu po shprehin pakënaqësi të fortë me korrupsionin në sektorin publik, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë së pakicës të udhëhequr nga Rosen Zhelezkov. Sipas agjencisë bullgare të lajmeve BTA, organizatorët vlerësuan pjesëmarrjen në rreth 50,000 njerëz.
Edhe pse tubimi kryesor në qendër të Sofjes ishte paqësor, tensionet u rritën pas përfundimit të tij, pasi disa protestues u përleshën me policinë, duke hedhur gurë, shishe dhe fishekzjarrë drejt forcave të rendit. Policia u përgjigj me sprej me piper dhe bëri të paktën dhjetë arrestime, ndërsa dy oficerë u plagosën.
Sipas BTA-së, kazanëve të plehrave iu vu flaka, ndërsa një furgon policie u dëmtua rëndë. Dëme u shkaktuan edhe në zyrat e partisë në pushtet, si dhe në një parti tjetër që mbështet qeverinë. Presidenti i vendit, Rumen Radev, i dënoi incidentet dhe u bëri thirrje si protestuesve ashtu edhe autoriteteve të shmangin dhunën. Në një deklaratë publike, ai bëri thirrje që qeveria të japë dorëheqjen, duke vënë në dukje se “ka vetëm një rrugëdalje: dorëheqja dhe zgjedhjet e parakohshme”.
Bullgaria, me një popullsi prej 6.4 milionë banorësh, renditet vazhdimisht ndër vendet më të korruptuara në BE, sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. Vetëm Hungaria renditet më keq midis 27 shteteve anëtare. /Alsat.mk
The post Protesta në Bullgari kundër projekt buxhetit për vitin e ardhshëm appeared first on Alsat.
