Mijëra persona morën pjesë sot në një protestë në Milano kundër kostos së lartë të jetesës. Protestë u mbajt edhe në Bolonjë.

Policia italiane përdori gaz lotsjellës pasi u sulmua nga demonstruesit, të cilët hodhën gurë dhe sende të tjera gjatë përleshjeve në sheshin përballë Katedrales së Milanos, raportojnë mediat italiane.

Policia u përpoq t’i largonte protestuesit nga Galeria Vittorio Emanuele II, një qendër luksoze tregtare pranë sheshit përballë katedrales, pasi disa grupe u shkëputën nga protesta e organizuar kundër kostos së lartë të jetesës.

Dyqanet ulën grilat mbrojtëse, ndërsa turistët u larguan nga pjesa qendrore e qytetit.

Stacioni kryesor i metrosë, Duomo, pranë katedrales, u mbyll gjatë përleshjeve, ku disa persona mbetën të lënduar dhe pati arrestime, sipas raportimeve të mediave italiane.

Ndërkohë, në Bolonjë, policia përdori topa uji për të shpërndarë turmën dhe arrestoi shtatë persona, pasi një tjetër protestë degjeneroi në dhunë, raportoi agjencia italiane e lajmeve ANSA.