Turma të mëdha protestuesish kanë marshuar nëpër kryeqytetin e Iranit dhe qytete të tjera.
Protestuesit bënë thirrje për rrëzimin e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, dhe kthimin e Reza Pahlavi, djalit të dëbuar të ish-shahut të ndjerë, i cili i kishte nxitur mbështetësit e tij të dilnin në rrugë.
Ishte dita e 12-të radhazi e trazirave që janë shkaktuar nga pakënaqësia për rënien e monedhës iraniane përballë dollarit dhe janë përhapur në më shumë se 100 qytete dhe qyteza në të 31 provincat e Iranit, sipas grupeve të të drejtave të njeriut.
Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në SHBA ka thënë se të paktën 34 protestues – pesë prej tyre fëmijë – dhe tetë personel sigurie janë vrarë, dhe se 2,270 protestues të tjerë janë arrestuar.
Monitoruesi i të Drejtave të Njeriut në Iran (IHR) me seli në Norvegji ka thënë se të paktën 45 protestues, përfshirë tetë fëmijë, janë vrarë nga forcat e sigurisë.
Të enjten në mbrëmje, videot e postuara në rrjetet sociale treguan një turmë të madhe protestuesish që lëviznin përgjatë një rruge kryesore në Mashhad, në verilindje të vendit.
U dëgjuan brohoritje “Rroftë shahu” dhe “Kjo është beteja e fundit! Pahlavi do të kthehet”.
Video të tjera treguan protestues duke brohoritur “Vdekje diktatorit” – një referencë për Khamenein – në qytetin qendror të Isfahanit.
Protestat e mbrëmjes erdhën jo shumë kohë pasi Reza Pahlavi, babai i të cilit u rrëzua nga revolucioni islamik i vitit 1979 dhe jeton në Ëashington DC, u kishte bërë thirrje iranianëve të dilnin në rrugë dhe, si një front i bashkuar, t’i shtronin kërkesat e tyre.
Në një postim në X, Pahlavi tha se “miliona iranianë kërkuan lirinë e tyre sonte”, duke i përshkruar protestuesit si “bashkëkombësit e tij të guximshëm”.
Ai falënderoi presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për mbajtjen e “regjimit para përgjegjësisë” dhe u bëri thirrje udhëheqësve evropianë të bëjnë të njëjtën gjë.
The post Protesta të mëdha antiqeveritare në Teheran dhe qytete të tjera të Iranit appeared first on Alsat.
