Bashkimi Evropian pritet të propozojë së shpejti sanksione shtesë ndaj Iranit, pas shtypjes së ashpër të protestave antiqeveritare që kanë përfshirë vendin, ku sipas organizatave për të drejtat e njeriut numri i viktimave ka kaluar mbi dy mijë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se BE do të intensifikojë masat ndëshkuese ndaj autoriteteve iraniane për shkak të përdorimit të tepruar të forcës dhe shkeljes së vazhdueshme të lirive themelore.
Në një postim në rrjetin social X, Von der Leyen e cilësoi si “të tmerrshëm” numrin në rritje të viktimave, duke dënuar dhunën ndaj protestuesve dhe kufizimin e lirisë së shprehjes.
Ajo theksoi se Bashkimi Evropian tashmë ka sanksionuar Trupat e Gardës Revolucionare Islamike, forcën paraushtarake besnike ndaj Udhëheqësit Suprem të Iranit, në kuadër të regjimit të sanksioneve për të drejtat e njeriut.
Sipas saj, së bashku me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, do të propozojnë “shumë shpejt” masa të reja ndaj individëve përgjegjës për shtypjen e protestave.
“Ne qëndrojmë përkrah popullit të Iranit, i cili po lufton me guxim për lirinë e tij”, deklaroi Von der Leyen.
Organizata Iran Human Rights me seli në Oslo njoftoi se që nga shpërthimi i protestave në dhjetor, të paktën 648 persona janë vrarë, mbi 6 mijë kanë humbur jetën në total, ndërsa më shumë se 10 mijë protestues janë arrestuar.
Irani është përfshirë nga 28 dhjetori nga vala më e madhe e protestave ndër vite. Fillimisht protestat nisën si reagim ndaj rënies së ndjeshme të vlerës së rialit dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike, por shpejt u shndërruan në demonstrata mbarëkombëtare kundër regjimit islamik të vijës së ashpër.
Dhuna ndaj protestuesve ka rihapur gjithashtu debatin brenda Bashkimit Evropian për klasifikimin e mundshëm të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike si organizatë terroriste. Qeveria gjermane ka deklaruar se Berlini mbetet i përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje për këtë çështje.
