Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka reaguar për protestën masive qytetare që po zhvillohet në Tiranë prej 12 ditësh, duke mbështetur të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht.

Në deklaratën e tij, KASH thekson se kërkesat e protestuesve janë legjitime dhe duhet të merren seriozisht nga institucionet. Sipas Këshillit, qytetarët kërkojnë mbrojtjen e interesave kombëtare, pasurive publike dhe mjedisit.

KASH kërkon më shumë transparencë, dialog dhe llogaridhënie nga qeveria. Ai thekson se vetëm në këtë mënyrë mund të forcohet besimi i qytetarëve dhe të përparojë procesi i integrimit në Bashkimin Europian.

Sipas deklaratës, protestat nuk lidhen vetëm me një çështje konkrete, por edhe me shqetësime më të thella si korrupsioni, pandëshkueshmëria dhe mungesa e besimit tek institucionet.

Këshilli shpreh shqetësim për mënyrën si janë trajtuar kërkesat e protestuesve dhe dënon çdo qëndrim arrogant ndaj tyre.

Në fund, KASH mbështet investimet e huaja, por kërkon që ato të jenë transparente, të respektojnë ligjin dhe të mbrojnë interesin kombëtar. Ai bën thirrje për dialog mes institucioneve, qytetarëve dhe aktorëve të tjerë për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit.

Deklaratë e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë për protestat qytetare, transparencën dhe mbrojtjen e interesit kombëtar.
Tiranë, 12 qershor 2026
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) shpreh mbështetjen e tij për të drejtën themelore dhe demokratike të qytetarëve shqiptarë për të protestuar paqësisht në mbrojtje të interesave kombëtare, pasurive publike, mjedisit dhe trashëgimisë natyrore të vendit. Protestat e fundit përcjellin mesazhe të qarta dhe legjitime, të cilat meritojnë vëmendje, dialog dhe transparencë nga institucionet shtetërore.
Vetëm në këtë mënyrë Shqipëria mund të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke garantuar respektimin e pronës private dhe të drejtave të ligjshme të qytetarëve, duke promovuar një model zhvillimi në bashkëpunim dhe në shërbim të komunitetit, si dhe duke kundërshtuar e parandaluar çdo përpjekje korruptive që cenon integritetin e këtyre proceseve dhe besimin e publikut tek institucionet.
KASH vlerëson se këto protesta nuk lidhen vetëm me çështjen konkrete që i ka nxitur ato. Ato pasqyrojnë gjithashtu shqetësime më të thella, të akumuluara ndër vite në opinionin publik, të lidhura me perceptimin mbi korrupsionin e përhapur, pandëshkueshmërinë dhe, në disa raste, mbrojtjen politike që u ofrohet individëve të përfshirë në afera të ndryshme me interes publik. Këto perceptime kanë dëmtuar besimin e qytetarëve tek institucionet dhe kërkojnë reflektim serioz nga të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë.
Këshilli shpreh shqetësimin për mënyrën se si janë trajtuar disa nga kërkesat e protestuesve dhe dënon çdo qasje arrogante apo shpërfillëse ndaj shqetësimeve qytetare. Në një shoqëri demokratike, dëgjimi i zërit të qytetarëve, konsultimi publik dhe llogaridhënia janë pjesë e pandashme e vendimmarrjes së përgjegjshme.
KASH mbështet investimet e huaja strategjike që sjellin zhvillim ekonomik, vende pune dhe modernizim për Shqipërinë. Megjithatë, çdo investim i tillë duhet të bazohet në transparencë të plotë, respektim rigoroz të ligjit, mbrojtje të mjedisit dhe garantim të interesit kombëtar.
Veçanërisht kur bëhet fjalë për zona me rëndësi strategjike, bregdetare apo ekologjike, është e domosdoshme që proceset vendimmarrëse të jenë transparente, të konsultuara me publikun dhe komunitetet e prekura, si dhe të shoqërohen me garanci të qarta për mbrojtjen e sovranitetit, pronës publike dhe pasurive kombëtare.
KASH u bën thirrje institucioneve shtetërore, investitorëve, komuniteteve lokale dhe shoqërisë civile të angazhohen në një dialog të hapur dhe konstruktiv, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm, forcimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së interesit afatgjatë të Shqipërisë.

The post Protestat tronditin skenën: Këshilli i Ambasadorëve flet për korrupsion dhe mbrojtje politike appeared first on Alsat.