“Nuk kërkojmë mëshirë, kërkojmë përgjegjësi”! “Asnjë tjetër më shumë”! Këto ishin disa prej mesazheve në protestën ku u kërkua mbrojtje në kohë për gratë dhe vajzat që raportojnë dhunën.
Protesta vjen pas vdekjes së 17-vjeçares Biljana Kiriç nga Bogdanci. Në marshin që nisi nga parku “Guraja luftëtare”, u ndal tek Ministria e Drejtësisë dhe përfundoi te Ministria e Arsimit, u kërkua drejtësi, hetim i plotë dhe llogaridhënie për veprimet e institucioneve para vdekjes së Biljanës.
Sipas organizatorëve, ajo më parë e kishte denoncuar dhunë dhe kërcënime me jetë, pas çka u vendosën masa mbrojtëse. Iniciativa kërkon të përcaktohet se kush veproi, çfarë vendimesh u morën dhe nëse kishte ndonjë lëshim që e la vajzën të ekspozuar ndaj rrezikut.
Një protestuese për TV21 deklaroi se shteti duhet të gjejë mekanizma për t’i mbrojtur gratë kur ato raportojnë dhunën.
Protesta u organizua nga nisma joformale “Asnjë më shumë!”, e përbërë nga grup aktivistësh. Ata kërkuan gjithashtu rikthimin e barazisë gjinore në ligje dhe arsim, si dhe shkarkimin e zyrtarëve që justifikojnë ose normalizojnë dhunën ndaj grave.
