Me shpinë të kthyer kah institucionet dhe mesazhe të qarta për drejtësi sociale, LSM marshoi nëpër rrugët e Shkupit duke kërkuar pagë minimale prej 500 eurove, respektim të marrëveshjeve kolektive dhe kompensimet shtesë, përcjell TV21. Kreu i LSM-së, Sllobodan Trendafillov tha se në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre, do të vazhdojnë protestat për pakënaqësitë e punëtorëve.
“Në ditën më të rëndësishme për punëtorët dhe qytetarët, shumica e këtyre prapa meje janë në pushim. Është për të ardhur keq që shijojnë privilegje, paga të rritura për 78%, shpenzime për transport më të mëdha se paga minimale. Bufe e Kuvendit më e lirë se mensa e punëtorit, ndërsa refuzojnë të miratojnë ndryshime dhe plotësime të ligjit për pagë minimale, rritjen në 500 euro, dhe 100 euro rritje të të gjitha pagave për punëtorë të tjerë. Të kenë të drejtë edhe punëtorët si deputetët për shpenzime në transport dhe shpenzime për ushqim. Ju lutem që së paku simbolikisht, t’ua ktheni shpinën siç po e bëj unë, që ta ndjejnë se si është që punëtori t’ua kthejë shpinën”, tha Trendafillov.

