Grupi parlamentar i Frontit Europian ka dorëzuar në Kuvend propozim-ligjin për ndryshime dhe plotësime të ligjit për provimin e jurisprudencës. Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, vlerëson se refuzimi që provimi të jepet edhe në gjuhën shqipe, jo vetëm që cenon barazinë gjuhësore dhe juridike, por godet drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe bashkëjetesës ndëretnike. Sipas tyre, Ministri i Drejtësisë vendos veten mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi Qeverinë dhe mbi çdo institucion tjetër të vendit, duke cenuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës.
“Për këtë arsye ne si grup parlamentar sot kemi dorëzuar në procedurë propozim-ligjin për ndryshime dhe plotësime të ligjit për provimin e jurisprudencës, me kërkesë që provimi të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për noterim, si dhe propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për përmbarim”, tha Rina Ajdari – BDI /FE.
Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, i pyetur për refuzimin e Ministrisë, tha se Ligji për Provimin e Jurisprudencës, që është aktiv nga janari i vitit 2020, është me defekte, pasi nuk e precizon se në cilën gjuhë duhet të jepet provimi. Sali tha se e mbështesin kërkesën e studentëve shqiptarë të juridikut, që provimi të mund të jepet edhe në shqip.
“Ka defekt ligji i cili nuk ka precizuar gjuhën në të cilën duhet të jepet provimi i jurisprudencës. Këtë defekt do të mundohemi që ne tash ta përmirësojmë apo ta precizojmë, për arsye se Ministria e Drejtësisë nuk është e gatshme të respektojë Kushtetutën e vendit, e cila nënkupton që gjithçka që është mbi 20 për qind e popullsisë në vendin tonë duhet ta ketë të respektuar gjuhën amtare, që nënkupton se gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare dhe është e drejtë e çdo juristi apo të diplomuari që provimin e jurisprudencës ta japë në gjuhën amtare të tij, në gjuhën shqipe. Këtu duhet ta përsëris edhe njëherë qëndrimin e VLEN-it se jemi pro kësaj kërkese”, u shpreh Bekim Sali – zëvendëskryeministër i parë.
Avokati i Popullit ka hapur procedurë lidhur me refuzimin e kërkesës së studentëve dhe ka paralajmëruar se do ta shqyrtojë çështjen edhe me vetëiniciativë, përmes analizës së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe veprimeve të Ministrisë së Drejtësisë. Nga Zyra e Avokatit të Popullit u është bërë thirrje të gjithë personave që kanë parashtruar kërkesa në Ministri të paraqiten edhe pranë Avokatit të Popullit.
Në mbështetje të nismës së studentëve, ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, shpërndau në rrjetet sociale një fotografi me mbishkrimin “FOLI SHQIP o taj!”.
Përndryshe, nga Ministria e Drejtësisë refuzimin e kërkesës së studentëve e kanë arsyetuar me shpjegimin se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në shqip pasi shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase.
