Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në emisionin Click Plus në TV21, shprehu rezerva lidhur me iniciativën që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, duke theksuar se në të drejtën është thelbësore saktësia e gjuhës dhe qartësia e shprehjes.

Duke folur për këtë temë, ajo theksoi se do të përmbahet nga një qëndrim përfundimtar, por paralajmëroi se gjuha juridike ka një peshë të veçantë dhe ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e vendimeve gjyqësore.

“Në të drejtën ekziston nocioni i gjuhës juridike. Të rëndësishme janë saktësia dhe qartësia, sepse nga kjo varet cilësia e vendimit. Është shumë e pazakontë që në nivel kombëtar, në procedurat gjyqësore, të jenë në përdorim disa gjuhë”, theksoi Siljanovska-Davkova në Click Plus në TV21.

Ajo bëri dallim mes gjyqësorit vendor dhe atij ndërkombëtar, ku përdorimi i më shumë gjuhëve është i zakonshëm, duke shtuar se në korniza ndërkombëtare madje diskutohet edhe për rikthimin e gjuhës juridike latine, me qëllim shmangien e keqkuptimeve.

Siç theksoi, një shqetësim i veçantë paraqet mundësia e formimit të komisioneve të ndara për dhënien e provimit të jurisprudencës mbi bazë gjuhësore.

“Nuk mund të ketë një komision për kandidatët maqedonas dhe një tjetër për kandidatët shqiptarë. Kjo është e pamundur dhe përvojat krahasuese tregojnë se mund të çojë në rreziqe”, tha presidentja.

Presidentja iu referua edhe kornizës ligjore, duke theksuar se përveç Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ekziston edhe Ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase, sipas të cilit çdo qytetar ka të drejtë dhe detyrim ta njohë gjuhën maqedonase, ndërsa institucionet janë të detyruara ta përdorin atë.

Siljanovska-Davkova theksoi se ka mirëkuptim për përdorimin e gjuhëve zyrtare, por rikujtoi se gjykatat kanë mundësi të zbatojnë drejtpërdrejt Kushtetutën dhe të mos zbatojnë një dispozitë ligjore nëse vlerësojnë se është në kundërshtim me aktin më të lartë juridik.

Ajo rikujtoi edhe dispozitat kushtetuese që rrjedhin nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, të cilat garantojnë të drejtën për përkthim në procedurat gjyqësore.

“Në procedurën penale dhe civile, çdo palë ka të drejtë për përkthim me shpenzime të shtetit. Por, nëse procedurat, vendimet dhe iniciativat janë në gjuhën maqedonase, atëherë për të marrë një vendim relevant, është e domosdoshme që ajo gjuhë të njihet dhe të komunikohet në të”, nënvizoi presidentja.

Në fund, ajo theksoi se dilema kryesore mbetet e lidhur me mundësinë e keqkuptimeve në procesin juridik.

“Frika ime është që të mos gjendemi të humbur në përkthim”, përfundoi Siljanovska-Davkova.