Shporta e Vitit të ri deri më tani përfshin mbi 650 produkte dhe do të zgjasë një muaj, nga 15 dhjetor deri më 15 janar. Qeveria publikoi se me prodhuesit dhe tregtarët kanë arritur marrëveshje që çmimet të ulen për 10% dhe do të shënohen me tiketë “Më pak shpenzime, më shumë për ty”. Për shkak se nuk bëhet fjalë për masë intervenuese, nuk do të ketë gjoba. Por çfarë do të jetë me ato kompani që brenda këtyre ditëve i rritën çmimet. Kryeministri Mickoski thotë se nuk beson se do të ketë manipulime me çmimet, por do të zbatohen kontrolle nga inspektorët.
Ministri i ekonomisë Besar Durmishi siguron se prodhuesit dhe tregtarët do t’i ulin çmimet për 10%. Lista që përfshin mbi 650 produkte që i ofrojnë rreth 60 kompani, mund të zgjerohet, tha Durmishi.
Nga opozitarja LSDM thonë se këto masa janë joefikase dhe kërkojnë që të pranohen masat e tyre për çmimet.
Paraprakisht Qeveria solli shportën e vjeshtës me të cilën u përfshinë rreth 70 produkte të të cilëve iu kufizua marzha e përfitimit, të cilën ekspertët por edhe qytetarët e vlerësuan si negative ndërsa kundër kësaj mase doli edhe ministrja e financave Gordana Dimitrieska Koçoska.
