Zëvendëskryeministri i parë, Arben Fetai ka njoftuar se është zgjidhur çështja e punëtorëve të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, transmeton TV21.
“Sot, së bashku me zëvendësministrin e Kulturës dhe Turizmit, z. Sedat Sulejmani, mirëpritëm në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut punonjësit dhe artistët e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqipe për të kremtuar zgjidhjen e statusit të tyre të punësimit. Ky është një moment i rëndësishëm, i cili jo vetëm që përmirëson një padrejtësi të madhe, por edhe shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin dhe forcimin e këtij institucioni të rëndësishëm të kulturës shqiptare.
Gjatë këtij takimi, diskutuam për rëndësinë e mbështetjes së artistëve dhe zhvillimit të kulturës sonë. Kultura është pasuri kombëtare, dhe angazhimi ynë është i palëkundur: të forcojmë Ansamblin duke ruajtur trashëgiminë e pasur kulturore dhe duke krijuar hapësira për energji të reja dhe ide inovative”, thuhet në njoftimin e Fetait.
Ndërkaq, është bërë e ditur edhe se është zgjedhur edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Ansamblit. Ai do të jetë Amir Mamuti.
Informacionin për këtë e ka bërë vetë Mamuti.

