Gazetar: Avni Tahiri

Nehati dhe Lepa, të dy janë të punësuar në Ndërmarrjen Publike, Parqe dhe Gjelbërim. Ata ishin sot pjesë e protestës para ndërmarrjes së bashku me të punësuar tjerë të cilët nuk kanë marrë pagat që nga muaji shtator.

Gjëja më e vështirë për rreth 700 të punësuarve të ndërmarrjeve “Florakom” dhe “Luna” është ajo që nuk kanë as sigurim shëndetësorë dhe janë detyruar të paguaje privat për mjekimin.

”Kam probleme me zemrën dhe dje isha në koronarografi dhe pagova 5900 denarë apo 100 euro, nuk kam sigurim shëndetësor që të mund të blej barnat. Paguat privat sepse nuk keni sigurim shëndetësor? Po. Sa kohë nuk keni marrë pagat? Dy muaj, shtatorin dhe tetorin nuk jemi paguar dhe nuk kemi sigurim shëndetësor”, deklaroi Lepa Andonovska, e punësuar në Parqe dhe Gjelbërim.

“Ne i mbajmë parqet, i kositim në të gjithë terrenin e Shkupit por pagat ende nuk i kemi marrë dhe që katër vite nuk kemi as K15. Tani nuk keni as sigurim shëndetësor? Po, i paguajmë të gjitha privat, problem, por shpresojmë të behet mirë”, tha Nehat Mustafa, i punësuar në Parqe dhe Gjelbërim.

Kryetari i sindikatës Goran Risteski, paralajmëroi se nëse për këto 700 të punësuar të ndërmarrjes Parqe dhe Gjelbërim nuk ka paga atëherë nuk do të marrin pjesë në aksionin e premtuar të 72 orëve nga kryetari i ri i Shkupit, për pastrim të Shkupit.

“Është paraparë aksion që për 72 orë të pastrohet Shkupi, ne të punësuarit e NP Parqe dhe Gjelbërim deklarojmë se nëse nuk do të marrin paga atëherë do ta bojkotojnë…Realizuam takim me drejtorin e NP Parqe dhe Gjelbërim që ta paralajmërojmë që këto të punësuar nuk mund të kryejnë punën e tyre deri në momentin e pagesës së pagave dhe me atë edhe sigurim shëndetësor”, deklaroi Goran Risteski, kryetar i sindikatës së pavarur.

Nga sindikata paralajmëruan se nëse rreth 700 të punësuarit e Ndërmarrjes Parqe dhe Gjelbërim, nuk marrin pagat e muajit shtator dhe tetor gjatë ditëve në vijim, atëherë të drejtën e tyre përsëri do të vazhdojnë ta kërkojnë në rrugë. Nga Ndërmarrja Publike Parqe dhe Gjelbërim, deri tani nuk ka ndonjë reagim se kur do të kryhet pagesa ndaj punonjësve të kësaj ndërmarrje. /Alsat.mk

The post Punëtorët e “Florakom” dhe “Luna”: Nëse nuk marrim pagat, bojkot 72 orësh për pastrimin e Shkupit appeared first on Alsat.