Është dashur të përfundoj për 120 ditë, duke nisur nga 25 dhjetori 2024, por punët në rrugën “Boris Kidriç” në Tetovë ende nuk janë mbyllur. Kryetari i komunës së Tetovës thotë se është dështim i kompanisë dhe ka kërkuar që komuna të merr masa.


“Kërkoj falje por është një dështim si dështim i operatorit të kompanisë, unë kam dhënë urdhër nga shërbimet që të marrin masa adekuate konform kontratës për shkak të mos realizimit të punimeve ashtu siç jemi realizuar. Unë atë që e përcjell këtu e përcjell në bazë të komunikimit që e kam me operatorët ekonomikë të cilët realizojnë punë për komunën e Tetovës”, tha Kasami.

Premtimin e fundit që Kasami ka marrë nga kompania ishte se rruga do të përfundonte në fundjavë dhe në bazë të këtij premtimi, Kasami më 8 korrik tha:

“Sipas premtimit të operatorit nesër do të duhet të bëhet edhe asfaltimi i pjesës tjetër, gjithashtu punojmë që të rregullohet edhe pjesa e shëtitores dhe një shtresë të betonit, me çka përmbyllen punët në fazën e parë”.

Kështu nuk ndodhi, andaj Kasami i ka dhënë urdhër shërbimeve të komunës që të merren masa adekuate juridike për t’u mbrojtur interesi publik. Kërkuam nga komuna informacione nëse janë marrë masa dhe cilat janë ato, por pa përgjigje. Përndryshe, bëhet fjalë për rikonstruktim të rreth 350 metra.