Ndërtimi i fazës së dytë të hekurudhës nga Bellakovca deri në Kriva Pallankë, në pjesën lindore të Korridorit 8, po zhvillohet me ritëm të shtuar, njoftoi drejtori i NP “Hekurudhat Infrastrukturë”, Sinisha Ivanovski, duke bërë të ditur se projekti prej 34 kilometrash ka arritur rreth 35 për qind realizim.
Paralelisht me këtë, siç njoftohet, është shpallur edhe thirrja publike për mbikëqyrje për segmentin e tretë nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë, ndërsa muajin e ardhshëm pritet të shpallet edhe thirrja publike ndërkombëtare për përzgjedhjen e realizuesit, po ashtu për segmentin Kriva Pallankë – deri në kufirin me Bullgarinë.
