Presidenti rus Vladimir Putin ka reaguar lidhur me deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump për testimet bërthamore, duke thënë se duhet të shihen me shumë seriozitet dhe se nuk duhet të neglizhohen.

Megjithatë, ai ripërsëriti se Rusia nuk ka në plan të tërhiqet nga Traktati për Ndalimin e Testeve Bërthamore dhe paralajmëroi domosdoshmërinë për të reaguar nëse traktati shkelet.

Presidenti rus bëri të qartë se vendi i tij mbetet besnik i traktatit dhe se nuk ka ndërmend të tërhiqet prej tij, shkruajnë mediat ndërkombëtare.

Putin gjithashtu udhëzoi Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Mbrojtjes, agjencitë e inteligjencës dhe shërbimet politike që të fillojnë përgatitjet për testet e armëve bërthamore.

Më herët presidenti amerikan, Trump konfirmoi se vendi i tij do të rifillonte testimet bërthamore, por nuk dha shumë detaje.

“Do ta mësoni shumë shpejt, do të bëjmë disa testime. Vende të tjera po e bëjnë. Nëse po e bëjnë ato, do ta bëjmë edhe ne”, mësohet të ketë thënë Trump në një deklaratë të dhënë më herët për testimet bërthamore.