Që nga mosha 15 vjeçe ishte në koma, ndërroi jetë në moshën 36-vjeçare “Princi i fjetur” i Arabisë Saudite

Princi saudit Al-Waleed bin Khalid Al-Saud është ndarë nga jeta në moshën 36-vjeçare, pasi kaloi më shumë se dy dekada në koma pas një aksidenti të rëndë automobilistik në Londër në vitin 2005, kur ishte vetëm 15 vjeç.

I njohur gjerësisht si “Princi i fjetur”, Al-Waleed pësoi një hemorragji cerebrale dhe gjakderdhje të brendshme në tru si pasojë e aksidentit tragjik. Prej asaj kohe, ai u mbajt në jetë me aparatura, por nuk arriti kurrë të rikuperohej plotësisht apo të rifitonte ndërgjegjen.

Vdekja e tij u bë e ditur nga babai i tij, Princi Khaled bin Talal Al Saud, përmes një postimi prekës në rrjetin social X (ish-Twitter), ku citoi një varg nga Kurani dhe tha:

Me zemra që besojnë në vullnetin dhe caktimin e Allahut, dhe me trishtim të thellë, e njoftojmë ndarjen nga jeta të djalit tonë të dashur: Princit Al-Waleed bin Khaled bin Talal bin Abdulaziz Al Saud. Allahu e mëshiroftë.”

Princi Khaled u angazhua personalisht në kujdesin për të birin ndër vite dhe kundërshtoi çdo thirrje për të shkëputur aparaturat që e mbanin në jetë.

Lajmi për ndarjen nga jeta të princit ka prekur mijëra njerëz në rrjetet sociale, ku hashtag-u “Princi i fjetur” është bërë viral. Përdorues nga mbarë bota kanë shprehur ngushëllimet e tyre.

“Zoti e mëshiroftë Princin Al-Waleed. Ngushëllime të sinqerta për familjen,” shkroi një përdorues.
“Jeta jote ishte një bekim për familjen dhe botën,” shkroi një tjetër.

Lutjet mortore për Princin Al-Waleed do të mbahen sot në Xhaminë Imam Turki bin Abdullah në Riad.