Një premtim që nisi para zgjedhjeve të vitit 2025, po përballet sërish me filtrat e ngadalshëm të burokracisë shtetërore. Edhe pse bëhet fjalë për një investim jetik prej 74 milionë eurosh për Spitalin Klinik të Tetovës, projekti për ndërtimin e tre objekteve të reja ka ngecur në Ministrinë e Financave. Drejtori i Spitalit të Tetovës, Erzen Elezi, thotë se spitali ka krijuar një grup pune dhe ka dorëzuar në ministri projektin për ndërtimin e tre objekteve të reja dhe renovimin e dy blloqeve, atij kirurgjikal dhe atij internistik.

“Ky projekt, domethënë, është për tre objekte të reja në Spitalin Klinik të Tetovës. Një objekt është i paraparë për Gjinekologjinë, një objekt është i paraparë për Medicinën Nukleare dhe një objekt është paraparë për repartin e Infektivës, Psikiatrisë, Dermatologjisë e të tjera. Gjithashtu, është paraparë edhe renovimi komplet i bllokut kirurgjikal me bllokun internistik”, tha Erzen Elezi – Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës.

Sipas tij, ky projekt ka kaluar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe tani ndodhet në Ministrinë e Financave, ku pritet që edhe atje të lëvrohen mjetet. Nga 74 milionë euro, vetëm 5% e këtyre mjeteve duhet të financohen nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa 95% janë mjete nga Bashkimi Evropian.

 “Derisa në Ministrinë e Shëndetësisë kanë kaluar të gjitha fazat ligjore, tani është në Ministrinë e Financave dhe shpresoj se shumë shpejt edhe atje do të mund ta realizojmë, që mjetet financiare të kalojnë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë që të mund ta realizojmë këtë projekt. Gjithashtu duhet të potencoj se 95% e buxhetit, të këtyre 74 milionëve, financohet nga mjetet evropiane, kurse 5% janë nga Ministria”, u shpreh Erzen Elezi – Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës.

Premtimi i parë për investime në Spitalin Klinik të Tetovës u bë pikërisht para zgjedhjeve lokale të vitit 2025. Që nga ajo kohë e deri më tani, vetë ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, shpeshherë ka premtuar se ky projekt do të realizohet. Por një gjë është e sigurt: nëse në Tetovë investohen 74 milionë euro, Spitalit Klinik i Tetovës do të bëhet një ndër qendrat klinike më moderne, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.