Gazetar: Ajnur Bafqari
Kështu duket në 3D, projekti i Qendrës Rinore në Çair, i prezantuar më 4 tetor, në kulmin e fushatës zgjedhore. Me pamje moderne, hapësira për të rinjtë dhe premtime për një investim serioz në të ardhmen.
“Ndërsa kështu duket realiteti. Dy muaj pas prezantimit pompoz të Qendrës Rinore në Çair, në terren nuk ka asnjë shenjë punimesh, as makineri, as tabelë ndërtimi dhe as afate. Vetëm një barakë siç ka qenë gjithmonë dhe shumë larg pamjeve të projektit 3D”, raporton Ajnur Bafqari.
Prezantimi i projektit u bë nga Izet Mexhiti, në prani të të gjithë kandidatëve për këshilltarë, duke u promovuar si një investim i rëndësishëm për të rinjtë e komunës. Mexhiti pati deklaruar se baraka duhej të prishet dhe më pas të ndërtohet qendra rinore, ndërsa me detaje pati sqaruar se çfarë do të ketë në secilin prej 4 kateve të kësaj ndërtese.
“Mbi stadionin e Çairit, ku për momentin është amerikan corner, barakat janë të komunës, aty do të prishen barakat dhe do të ndërtohet qendra rinore. Në nivelin e parë është biblioteka, me salla të konferencave, në katin e dytë do të jetë qendër dixhitale, madje nuk mund t’i ndjek këto janë trende që i diktojnë të rinjtë. Në katin e tretë do të jetë qendër për kurse që do të jenë falas, ndërsa në katin e katërt do të jetë qendra kulturore ku do të ketë aktivitete kulturore, pra kjo do të jetë pika ku do të mblidhen dhe do të njihen të rinjtë”, tha Izet Mexhiti.
Megjithatë, deri më sot, projekti nuk ka kaluar nga faza e vizualizimit. Sipas informacioneve të Alsat, ideja për ndërtimin e Qendrës Rinore nuk është hapur si temë as në Këshillin Komunal. Në asnjë nga mbledhjet e mbajtura deri tani nuk ka pasur diskutim, vendim apo sqarim zyrtar lidhur me realizimin e këtij projekti. Paqartësitë shtohen edhe më tej kur bëhet fjalë për buxhetin. Nga komuna nuk ka njoftim nëse janë siguruar fonde për ndërtimin e Qendrës Rinore, kur do të alokohen ato dhe nëse projekti ka mbështetje reale institucionale, apo ka mbetur vetëm një premtim elektoral. Të pyetur nga Alsat për ecurinë e projektit, nga komuna e Çairit thanë se përgjigje do të marrim gjatë ditës së nesërme. /Alsat.mk
The post Qendra Rinore në Çair e prezantuar me pompozitet në kulmin e fushatës zgjedhore, mbeti për ta parë vetëm në video appeared first on Alsat.
