Nënkryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Arjanit Hoxha, ka reaguar ashpër ndaj propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili tashmë është dorëzuar në Kuvend nga qeveria dhe mbështetet nga koalicioni VLEN.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Hoxha vlerëson se ligji nuk garanton përfaqësim real të shqiptarëve në institucionet shtetërore, por krijon, siç shprehet ai, një sistem formal dhe lehtësisht të manipulueshëm politikisht. Sipas tij, propozimi nuk përmban formula konkrete për llogaritjen e përfaqësimit etnik, nuk parasheh mekanizma të qartë për verifikimin e përkatësisë etnike dhe nuk përcakton masa ndëshkuese serioze ndaj institucioneve që nuk e zbatojnë ligjin.

Ai kritikon edhe kriterin e “meritës”, duke thënë se përkatësia etnike merret parasysh vetëm në rastet kur kandidatët konsiderohen të barabartë, gjë që sipas tij u jep institucioneve hapësirë të madhe për interpretime subjektive dhe shmangie të përfaqësimit real etnik.

Hoxha thekson se ligji nuk përmban përgjegjësi disiplinore, anulim konkursesh apo përgjegjësi penale për shkelësit dhe shton se në rastet kur institucionet refuzojnë të japin të dhëna, Trupi Koordinues vetëm e njofton Qeverinë pa pasoja konkrete juridike.

Sipas tij, ligji rrezikon të bëhet jofunksional edhe nëse një numër i madh qytetarësh refuzojnë të deklarojnë përkatësinë etnike ose deklarohen si “të papërcaktuar”, pasi në atë rast nuk mund të dihet përfaqësimi real dhe as të planifikohet balanca etnike në administratë.

Në reagimin e tij, nënkryetari i BDI-së e cilëson këtë draft si “Ligji i Karakamishevës”, duke akuzuar koalicionin VLEN se po kontribuon në relativizimin gradual të përfaqësimit etnik të shqiptarëve në institucionet shtetërore.