Nuk ka nënshkrim të marrëveshjes as për pagë minimale prej 600 eurosh dhe rritje të të gjitha pagave të tjera për 100 euro, as për marrëveshjen kolektive me të cilën nëpunësit administrativë duhet të përfitojnë rritje prej 40 për qind për dy vjet. Qeveria dhe sindikatat shkëmbyen akuza dhe oferta, por pritën në adresa të ndryshme. Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov, thotë se sot në orën 9:00, në ambientet e LSM-së, nuk u paraqit përfaqësuesi i Qeverisë për të nënshkruar dy marrëveshjet.
Nga Qeveria nuk sqaruan nëse do të ketë takim edhe për kërkesën për rritjen e pagës minimale. Ndërkohë, sindikatat reagojnë edhe ndaj ofertës së kryeministrit për rritje të pagave të nëpunësve administrativë për 40 për qind, me kusht që të shfuqizohet Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive. Sipas tyre, kjo do të nënkuptonte realisht ulje të pagave për rreth 21.8 për qind për mbi 130.000 të punësuar në sektorin publik.
Nga sindikata janë të prerë se nuk heqin dorë nga të drejtat e fituara me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive. Thonë se nuk është e drejtë që të punësuarit në administratë dhe gjyqësor të vihen në peshore, që dikush të heqë dorë, e dikush tjetër të fitojë.
Sindikatat paralajmërojnë për këtë javë bllokim të institucioneve, fillimisht të deputetëve dhe Kuvendit. Thonë se nëse nuk ka mirëkuptim për kërkesat e tyre, tashmë kanë vendim për grevë të përgjithshme në sektorin publik dhe privat.
