Qeveria e RMV-së feston Ditën e Alfabetit me një seancë të veçantë

Me një seancë solemne, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, shënoi ditën e Alfabetit shqip. Kryeministri Hristijan Mickoski, tha se Maqedonia e Veriut është shtëpi e dallimeve, që siç tha, nuk na ndajnë, por përkundrazi e zbukurojnë dhe pasurojnë historinë e përbashkët. Mickoski foli për rëndësinë e projekteve që janë në të mirë të të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë etnike, duke theksuar se Qeveria po punon pikërisht në sigurimin e të drejtave të barabarta për të gjithë.

“ Shqiptarët me kulturën, vlerat e tyre, janë pjesë e rëndësishme e shtetit tonë. Sot kur po e shënojmë ditën e alfabetit shqip, ne japim mirënjohjet tona, atyre që janë përpjekur dhe janë munduar për arsim dhe zhvillimin kulturorë dhe të gjithë atyre që sot e vazhdojnë këtë rrugë. Atdheu ynë i përbashkët themelohet në idenë se çdo qytetarë ka vend të njëjtë të barabartë, vlerë të barabartë dhe mundësi të njëjtë. Pikërisht për këtë qeveria mbetet e përkushtuar në politikat të cilat ndërtojnë besim ndëretnik, krijojnë hapësira për zhvillim të barabartë për të gjithë, për kulturën dhe përfaqësojnë kohezione”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Zëvendëskryeministri Arben Fetai, tha se gjuha është një urë komunikimi dhe jo kufi mes komuniteteve. Ai nënvizoi se qeveria synon që të sigurojë kushte të barabarta për zhvillimin dhe kultivimin e të gjitha gjuhëve që fliten në vend.

“Gjuha është urë komunikimi jo kufi mes komuniteteve, qeveria jonë synon të sigurojë kushte të barabarta për zhvillim dhe kultivimin e të gjitha gjuhëve që përdoren në vend, si pjesë e një vizioni modern të bashkëjetesës dhe institucionalizimit demokratik….Kjo ditë na rikujton se përgjegjësia jonë sot, është të krijojmë një ambient, ku secili qytetar mund të kontribuojë, të arsimohet dhe të jetojë pa u ndjerë i margjinalizuar për shkak të gjuhës apo identitetit të tij”, tha Arben Fetai, zv kryeministër i parë./Alsat.mk