Qeveria në seancën e sotme i dha dritë jeshile propozim-Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Propozimi që nga Komisioni Venecias është cilësuar si i pa plotë, në Qeveri ka marrë përmbajtje si propozim duke përfshi edhe mendimet kritike të ekspertëve të Venecias. Ligji, për herë të parë, si nocion juridik, e ngre parimin kushtetues të përfaqësimit në nivel të ligjit. Me këtë, ai zëvendëson mekanizmin e Balancuesit, i shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese vitin e kaluar. Qëllimi i ligjit është që të rregullojë respektimin, avancimin dhe ndjekjen e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të komuniteteve në të gjitha nivelet e pushtetit. Fryma e ligjit bazohet në amendamentin VI të Kushtetutës dhe i obligon institucionet që të kujdesen për respektimin e përfaqësimit të komuniteteve nëpër institucione, megjithatë duke pasur kujdes diskriminimin e qytetarëve dhe duke mbajtur llogari për përgatitjen profesionale, kompetencën, integritetin, transparencën dhe gjithë përfshirjen. Për t’u shmangur obligimi i dalë nga Gjykata Kushtetuese që qytetarët të mos detyrohen të deklarojnë përfaqësimin e tyre etnik, pr/ligji parashikon që deklarimi i përkatësisë etnike të mbetet në vullnetin e vetë qytetarit. Për punësimin e etniteteve, institucionet do të marrin për bazë të dhënat nga regjistrimi i fundit i popullsisë. Në rast se në ndonjë institucion ka numër të ulët të përfaqësimit të ndonjërit prej komuniteteve, atëherë ligji lejon që ai komunitet të trajtohet me vëmendje të veçantë dhe preferencë dhe me këtë, nuk llogaritet se bëhet diskriminim ndaj komuniteteve të tjera, pasi është në drejtim të përmbushjes së parimit kushtetues. Zbatimin e ligjit të ardhshëm do ta ndjekë një trup i formuar nga Qeveria, i cili do të bëjë analiza dhe do të hartojë raporte e rekomandime në raste të mosrespektimit të ndonjërës prej dispozitave. Në ligj, pavarësisht se nuk ka dispozitiv ndëshkues në rast të moszbatimit, njëri nga nenet e propozuar ia jep forcën Komisionit Anti-Diskriminin si monitorues i trupit koordinativ qeveritar për vendimet që merren lidhur me punësimet. Ligji thekson se trupi koordinativ do të drejtohet nga njëri prej zv/kryeministrave, por pa theksuar taksativisht etninë e zv/kryeministrit. Në afat prej gjashtë muajsh pasi të hyjë në fuqi, do të miratohen dhe aktet nënligjore për të precizuar zbatimin përkatës. Pritet të shihet pesha e akteve nënligjore dhe rregullimi i rasteve konkrete përmes tyre. Ndërkaq, në po të njëjtin afat 6-mujor, Qeveria do të bëjë kontroll ndaj të gjitha ligjeve që lidhen me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat./Alsat.mk.

The post Qeveria në seancën e sotme i ka dhënë dritën jeshile propozim-Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat appeared first on Alsat.