Gazetar: Angell Dimovski

Nëse vazhdon rritja e çmimeve të karburanteve në dy javët e ardhshme, autoritetet do të ndërmarrin masa të reja. Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se masa e radhës do të jetë ulja e akcizës dhe marzhës.

“Masa e radhës, pas këtyre dy javëve, nëse vazhdon rritja në bursa, do të jetë ulja e akcizave dhe normalisht ulja e marzhës, pra edhe e çmimit të magazinimit, kostove të transportit e kështu me radhë, kjo do të jetë masa e radhës. Ndërsa sa i përket çmimeve, aty ku do të konstatojmë se ka sjellje jotregtare, ta quajmë kështu, do të veprojmë si Qeveri”, deklaroi Hristijan Mickoski.

Kreu i LSDM-së Filipçe thotë se çmimet e produkteve po rriten çdo ditë, ndërsa shpenzimet e familjeve për tre muaj janë rritur për 2500 denarë. Ai shton se Qeveria është vonuar në vendosjen e masave dhe kërkon miratimin urgjent të masave të tyre për stabilizimin e çmimeve të karburanteve.

“Duhet të pranohen masat tona, jo vetëm ulja e TVSH-së për karburantet nga 18% në 5%, ulja nga 5% në 0% e TVSH-së për produktet bazë ushqimore, përgjysmimi i taksave rrugore dhe ulja e akcizave për 4 denarë për litër karburant, sepse vetëm kështu qytetarët do të ndiejnë ulje reale të çmimeve të karburanteve”, tha Venko Filipçe kryetar i LSDM-së.

Deputeti i BDI-së, Ilir Hasani, thotë se masat që po ndërmerr Qeveria nuk janë të mjaftueshme për qytetarët, por megjithatë janë të mirëpritura.

“Mund të them se të gjitha masat që Qeveria po i ndërmerr janë të mirëpritura për situatën, nuk mund të them se janë të mjaftueshme, megjithatë janë të mirëpritura dhe e inkurajoj Qeverinë që të vazhdojë më tej për përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve”, theksoi Ilir Hasani BDI.

Ndërkohë, çmimi në bursat botërore për një fuçi nafte ka arritur mbi 110 dollarë. / Alsat.mk.

The post Qeveria paralajmëron masa të reja në rast se vazhdon rritja e çmimeve të karburanteve appeared first on Alsat.