Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur gjendje krize në furnizimin me energji elektrike, përcjell TV21. Sipas njoftimit të ekzekutivit, gjendja e krizës do të zgjasë 7 ditë, ndërsa e njëjta bëhet për shkak të pamundësisë për furnizim me mazut. Me këtë vendim të qeverisë, autoritetet do të shfrytëzojnë rezervat shtetërore, për të prodhuar energji elektrike.
“Qeveria, në seancën e rregullt të 138-të, me propozim të Komitetit Drejtues për Koordinim dhe Menaxhim të Sistemit për Menaxhimin e Krizave, mori vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në furnizimin me energji elektrike në të gjithë territorin e shtetit, për një periudhë prej 7 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Siç kemi informuar edhe gjatë ditëve të kaluara, ky vendim vjen si pasojë e pamundësisë për furnizim me mazut, i cili është i domosdoshëm për procesin e prodhimit. Rezervat e detyrueshme të derivateve të naftës do të vihen në dispozicion pa kompensim, ndërsa SHA EMV ka detyrim që për shpenzimin e derivateve të naftës – mazut, të dorëzojë raport si te Qeveria ashtu edhe te Ministria e Financave”, thonë nga Qeveria.
