Qeveria do të tërhiqet nga plani për blerjen e një avioni të ri shtetëror, pas një serie kritikash nga LSDM. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se edhe pse në takimet me liderin e LSDM-së, Venko Filipçe, ishte rënë dakord që të mos kritikohej vendimi për blerjen e një avioni, ata megjithatë nuk i qëndruan fjalës së dhënë. Sipas tij, avioni qeveritar është në gjendje të funksionojë, ndërsa iniciativa për blerjen e një avioni të ri ka ardhur nga personat që e menaxhojnë dhe e operojnë mjetin fluturues.

“Shoh që nga opozita u krijua kjo temë, edhe pse në ato takime liderësh, formale dhe joformale që i kam pasur me kryetarin e LSDM-së, ai ishte i qartë dhe tha se për këtë nuk duhet të kritikohet qeveria dhe se nuk do ta kritikojnë qeverinë, sepse nesër do të ketë qeveri të re, ndërsa avioni do të shfrytëzohet edhe për qëllime humanitare, por shoh që nuk e mbajnë fjalën dhe ne do të tërhiqemi nga ai furnizim dhe do të lutemi që të mbetemi gjallë, nëse rrëzohemi diku dhe nëse ndërrojmë jetë, atëherë supozoj që do të jetë e qartë se ky debat për ndonjë qeveri të ardhshme dhe kryeministër të ardhshëm është tepricë dhe i pabazë”, tha Mikcoski.

Zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzeska edhe sot akuzoi Qeverinë për shpërdorimin e parave publike, duke theksuar se në kohë kur mungojnë fonde për paga, subvencione dhe shëndetësi, planifikohet blerja e një aeroplani të ri qeveritar me vlerë rreth 100 milionë euro.

“Punëtorët janë në rrugë  për paga më të larta, kryeministri po fluturon në pushim me avion qeveritar. Qeveria tha nuk ka para për paga, refuzoi ta rrisë pagën minimale në 600 euro. U kanë shkurtuar 40 milionë euro për bujqit për subvencione, 5 milion euro nga mbështetja e sportit. Edhe njerëzve me sëmundje të rralla u ka shkurtuar 3 milion euro. Ndërkohë po planifikojnë të blejnë avion të ri me vlerë rreth 100 milion euro”, pohoi Kuzeska.  

Ndryshe Mickoski njoftoi se katër herë e kishte përdorur avionin qeveritar, duke sqaruar se nga Spliti në Shkup pas pushimeve vjetore në gusht të vitit të kaluar, ai u kthye me aeroplanin qeveritar, sepse humbi fluturimin me “Croatia Airlines”.