Ish-ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, do të jetë ambasadori i ri i Maqedonisë së Veriut në selinë e NATO-s në Bruksel. Ai është një nga nëntë ambasadorët e rinj, emrat e të cilëve janë miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë. Siç mëson Sitel nga burime të veta, ambasadore e re në Londër do të jetë Ilina Mangova, e cila ka një karrierë të pasur në sektorin joqeveritar, si pjesë e drejtimit të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI).

Emrat e tjerë për ambasadorë janë diplomatë karriere që prej vitesh kanë punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Mes tyre është edhe Linda Salieska Iljazovska, aktualisht pjesë e kabinetit të ministrit Mucunski. Ajo ka pothuajse 20 vite përvojë diplomatike dhe një sërë misionesh në përfaqësitë diplomatike nëpër Evropë. Pas përfundimit të procedurave, ajo pritet të jetë ambasadorja e re në Hagë.

Sipas ligjit, të nëntë kandidatët, para se të emërohen ambasadorë, duhet t’i paraqesin planet e tyre para Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvend, ndërsa më pas Presidentja Siljanovska do t’i dërgojë zyrtarisht në mision diplomatik. Sipas burimeve, lista e ambasadorëve të rinj tashmë është harmonizuar mes Presidentes Siljanovska, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Qeverisë.

Përveç nëntë ambasadorëve, Qeveria ka vendosur sot edhe për emërimin e dy përfaqësuesve për konsullatat në Melburn dhe Selanik.

Më herët janë bërë të ditur edhe emrat e Vele Trpevski si ambasador në Tiranë, Andrijana Cvetkoviq në Tokio, Dimitar Blazhevski në Kiev dhe Fadil Zendeli në Kopenhagë. Edhe ata presin paraqitjen para Kuvendit.

Pas përfundimit të të gjitha procedurave, numri i diplomatëve të dërguar gjatë mandatit të Mucunskit do të arrijë në 18. Prej tyre, mbi 60 për qind, ose 11 ambasadorë dhe konsuj, janë diplomatë karriere, në përputhje me angazhimet për profesionalizimin e rrjetit diplomatik dhe me ligjin e ri për punët e jashtme, i cili parasheh që të paktën gjysma e ambasadorëve të jenë diplomatë profesionistë.