Qiratë në qiell: Vetëm pesë qytete evropiane ofrojnë banesa me tre dhoma nën 2,000 euro

Çmimet e qirasë në qendrat e qyteteve evropiane kanë arritur nivele rekord në vitin 2025, me vetëm pesë qytete që ofrojnë një apartament me tre dhoma gjumi nën 2,000 euro në muaj, sipas një raporti të ri nga Deutsche Bank. Londra mban vendin e parë si qyteti më i shtrenjtë, me një qira mesatare prej 5,088 euro, ndërsa Athina është më e përballueshmja me 1,080 euro. Raporti, i cili analizoi 28 qytete evropiane, zbulon një ndarje të qartë midis veriut të pasur dhe juglindjes më të përballueshme të kontinentit.

Qytetet me qira mbi 3,000 euro përfshijnë Cyrihun, Gjenevën, Amsterdamin, Parisin, Dublinin dhe Kopenhagën – shumica qendra financiare dhe politike, ku kërkesa për strehim është shumë e lartë. Në rangun 2,000–3,000 euro përfshihen metropole të tjera si Milano, Berlini, Madridi dhe Vjena, të cilat gjithsesi ofrojnë kosto më të ulëta jetese krahasuar me kryeqendrat më të shtrenjta.

Image

Në fund të listës, pesë qytete – Athina, Budapesti, Stambolli, Varshava dhe Helsinkiu – ofrojnë qira mesatare nën 2,000 euro, duke reflektuar jo vetëm koston më të ulët të jetesës, por edhe nivele më të ulëta pagash dhe zhvillimi ekonomik.

Ndërkohë, shifrat e Eurostat tregojnë se çmimet e shtëpive janë rritur me 27.3% që nga viti 2020, ndërsa qiratë janë rritur mesatarisht me 12.5%, por në qendrat urbane rritja ka qenë edhe më e fortë. Stambolli ka parë rritjen më të madhe të qirave në pesë vitet e fundit – 206% për banesat me tre dhoma, ndërsa Lisbona, Praga dhe Edinburgu kanë regjistruar rritje mbi 70%.

Image

Edhe për apartamentet me një dhomë gjumi tendencat janë të ngjashme: Londra mbetet më e shtrenjta (2,732 euro), ndërsa Athina edhe këtu është më e lira (595 euro). Këto çmime zakonisht përfaqësojnë rreth gjysmën e kostos së banesave më të mëdha, edhe pse dallimet janë të mëdha nga qyteti në qytet – si në rastin e San Franciskos, ku kjo përqindje shkon në 62%.

Image

Raporti nënvizon ndikimin e mungesës së strehimit, nivelit të të ardhurave dhe urbanizimit në përshkallëzimin e kostove të banimit, duke shënuar një alarm për politikat e përballueshmërisë së strehimit në gjithë Evropën. Në të njëjtën kohë, ai thekson se pagat mesatare në shumë qytete – përfshirë Dubain dhe Sidnein – janë më të larta se në shumicën e qyteteve evropiane, duke e bërë përballueshmërinë e strehimit një çështje edhe më komplekse./ Euronews – Syri.Net

The post Qiratë në qiell: Vetëm pesë qytete evropiane ofrojnë banesa me tre dhoma nën 2,000 euro appeared first on Alsat.