
Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve të BDI-së për ta politizuar protestën e paralajmëruar për nesër në Tiranë, që synon të kërkojë lirimin e liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në reagimin e tij në Facebook, Qoku thekson se VLEN mbështet çdo nismë qytetare që ngrihet në mbrojtje të dinjitetit të luftës çlirimtare, por se protesta e nesërme po keqpërdoret për qëllime të ngushta politike nga Ali Ahmeti dhe strukturat e tij partiake.
Sipas tij, protesta është planifikuar qëllimisht në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, me nismën e Artan Grubit, në mënyrë që BDI ta përdorë kauzën e UÇK-së për përfitime elektorale. “Kauza e UÇK-së është kombëtare dhe nuk i përket partive, aq më pak partive të korruptuara”, shkruan Qoku.
Ai i drejton një sërë pyetjesh publike Ali Ahmetit, duke e sfiduar të tregojë çfarë ka bërë realisht për mbrojtjen e ish-luftëtarëve të UÇK-së gjatë 22 viteve në pushtet. Qoku përmend edhe mbështetjen e BDI-së për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, vizitat e shpeshta në Beograd dhe mungesën e qëndrimit ndaj sulmit terrorist në Banjskë. “Ali Ahmeti e kujton Kosovën vetëm kur ka zgjedhje”, shkruan Qoku, duke theksuar se BDI për 22 vjet s’ka bërë asnjë përpjekje për të zgjidhur statusin e ish-ushtarëve të UÇK-së, ndërsa ka miratuar gjashtë herë ndryshime të ligjit që favorizojnë branitellat maqedonas.
Në fund, Qoku nënvizon se VLEN e mbështet çdo zë që ngrihet në mbrojtje të drejtësisë për luftëtarët e lirisë, por nuk do të lejojë që kjo kauzë e shenjtë të përdoret si mjet fushate. “Lufta e UÇK-së është pjesë e dinjitetit kombëtar, jo dekor elektoral. Shqipëria nuk është mëmëdheu i BDI-së, por i të gjithë shqiptarëve”, përmbyll ai.