
Kreu i Komunës së Strugës Mendi Qyra thotë se do të vazhdojë të largojë nga puna punëtorët të cilët me vite kanë marrë rroga dhe nuk kanë ardhur në punë. Sipas tij, komuna ka të punësuar edhe njerëz profesionistë të cilët do të vazhdojnë punën, pavarësisht se politikisht kanë qenë me kundërshtarin e tij në zgjedhje. Për largimet në Strugë reaguan nga BDI-ja, dega e Strugës. Sipas Valon Qyrës, “largimet e bëra pa arsye të qartë krijojnë frikë, përçarje dhe një klimë shumë të rëndë. Institucionet janë aty për t’i mbështetur qytetarët, jo për t’i lënë pa punë dhe pa shpresë”, shkroi koordinatori i degës së BDI-së në Strugë.
“Në Komunë është administratë e stërngarkuar dhe për fat të keq produktiviteti i saj është shumë i ulët sepse kemi shumë punëtorë që nuk kanë ardhur me vite të tëra dhe një pjesë e buxhetit harxhohet për këto punëtorë të cilët punojnë në botën e jashtme kurse pagat i marrin në Komunën e Strugës”, tha Mendi Qyra, Kryetar i Strugës.
A ishte kjo arsyeja e largimit sepse kishte akuza ditet e fundit për largime nga puna në Strugë?
“Po. Do të vazhdojmë akoma me largimin e punëtorëve të cilët nuk vinë në punë me muaj dhe me vite të tëra. Qytetarët e kërkojnë një gjë të tillë dhe e kërkon edhe domosdoshmëria e Komunës për arsye se është për keqardhje që opozita I mbron punëtorët që nuk kanë ardhur në punë. Ka punëtorë që nuk kanë ardhur pesë ose gjashtë vjet në punë dhe rrogën e marrë”, deklaroi Qyra. /Alsat.mk
