Në 43 komuna është zgjedhur kryetari i komunës dhe kështu votimi në ato komuna ka përfunduar që në raundin e parë, ndërsa në 33 komuna do të ketë raund të dytë pas dy javësh, më 2 nëntor. Këtë e kumtuan nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, prej nga thanë se në ato zgjedhje do të përballen dy kandidatët për kryetar komune që morën numrin më të madh të votave në raundin e parë. Por ajo që duhet ditur është se pas përfundimit të raundit të dytë zgjedhjet nuk do të jenë përfunduar. Në 4 komunat që nuk e patën daljen e nevojshme, pas dy muajsh do të përsëritet i gjithë procesi zgjedhor.
“Për këtë arsye përsëritet i gjithë procesi zgjedhor brenda një afati prej 60 ditësh nga dita e publikimit të rezultateve përfundimtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Këto janë: komuna e Gostivarit, me dalje prej 33,31 për qind – pra për shumë pak; komuna Mavrovë-Rostushë me dalje 30,31%; komuna Vrapçisht me dalje 25,18%; dhe komuna Qendër Zhupë me dalje prej 21,49%”, theksoi Boris Kondkarko – Kryetar i KSHZ-së.
Sipas Kodit Zgjedhor, në komunat që nuk kanë pasur dalje të mjaftueshme, në përsëritjen e procesit zgjedhor nuk është paraparë censusi, pra do të zgjidhet kryetari i komunës edhe nëse del vetëm një votues.
“Zgjedhjet e përsëritura për komunën përkatëse mbahen brenda një afati jo më vonë se 60 ditë pas publikimit të rezultateve përfundimtare, me ç’rast nuk do të zbatohet kushti i paraparë në nenin 132 paragrafi (1) të këtij Kodi që ka të bëjë me daljen prej një të tretës së numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën zgjedhore për komunën përkatëse”, u shpreh Kodi Zgjedhor Neni 132-a.
Dalja në raundin e parë të zgjedhjeve lokale ishte 46,63%, pra kanë votuar 854.620 persona, që është një e dhënë shqetësuese dhe historikisht më e ulëta gjatë zgjedhjeve lokale. Këtë vit, më shumë se gjysma e votuesve nuk kanë dalë për të votuar.
Në të njëjtën kohë, në këto zgjedhje është vërejtur edhe një numër i rritur i fletëve të pavlefshme – plot 53.713 – që krahasuar me zgjedhjet lokale të mëparshme në vitin 2021, kur kishte 37.859 fletë të pavlefshme, paraqet një rritje prej rreth 50 për qind.