Deri vonë në mbrëmje, pas një seance 13-orëshe, Këshilli i Qytetit të Shkupit njëzëri e pranoi iniciativën për zhvendosjen e fabrikës së çimentos “Usje”, të paraqitur nga “Qyteti i Gjelbër Human”.
“Të konstatoj se i miratuam përfundimet dhe ju përgëzoj për punën e përbashkët të suksesshme”, tha Dame Dimitrovski – kryetar i Këshillit të Qytetit të Shkupit.
“Dua t’ju përgëzoj për përfundimet dhe t’ju informoj se, sapo t’i marrim zyrtarisht materialet, si Qytet i Shkupit do t’i dërgojmë menjëherë te të gjitha institucionet relevante që janë përmendur”, u shpreh Orce Gjorgjievski – kryetar i Qytetit të Shkupit.
Mes përfundimeve të miratuara nga këshilltarët është edhe ai me të cilin Kryetari i Qytetit duhet t’i kërkojë Qeverisë të shqyrtojë procedurë për zhvendosjen e “Usje”-s dhe ndotësve të tjerë jashtë luginës së Shkupit. Tani Qeveria është në radhë – ajo duhet të shqyrtojë mënyrën e fillimit të procedurës së zhvendosjes. Ministri i ri i Mjedisit Jetësor, Muamet Hoxha, sot ka thirrur një koordinim urgjent. Ai me mesazh se lufta kundër ndotjes së ajrit është prioritet dhe se do të ketë tolerancë zero për ndotësit.
“Kërkova nga drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor, Ginovska, informacione lidhur me mbikëqyrjen e punës së “Usje”-s, si dhe të kryhet mbikëqyrje e punës së të gjithë subjekteve të tjera juridike që posedojnë leje të integruara A, për të cilat ministria është kompetente. Qëllimi i kësaj procedure është që, së bashku me kontrolle të jashtëzakonshme inspektuese, të shqyrtohet gjendja në terren lidhur me obligimet që rrjedhin nga posedimi i këtyre lejeve ekologjike”, deklaroi Muhamet Hoxha – ministër i Mjedisit Jetësor.
Paralelisht me seancën e mbrëmshme në Qytetin e Shkupit, u mbajt një protestë e organizuar nga shoqata “Stop për Usje-n”. Qytetarët, përmes 10 kërkesave, mes të cilave edhe zhvendosja e fabrikës së çimentos, bllokuan bulevardet “Boris Trajkovski” dhe “Serbia” dhe protestuan vetëm rreth 100 metra nga hyrja kryesore e fabrikës. Ata konsiderojnë se “Usje” është ndotësi më i madh i ajrit në Shkup.
“Pavarësisht se është kompani e huaj, me bord të huaj drejtorësh, edhe nëse këta do të largohen dhe do të na lënë gjurmë, megjithatë ka njerëz këtu që e miratojnë këtë, që “Usje”, qoftë përmes mënyrave ligjore, qoftë përmes ryshfetit, apo përmes fushatave të caktuara, megjithatë paraqitet si një organizatë krejtësisht në rregull”, thonë nga Shoqata “Stop për Usje-n”.
Nga kompania “Titan-Usje” i hodhën poshtë akuzat se janë fajtorët kryesorë për ndotjen, duke thënë se shkaqet janë diku tjetër. Kompania pohon se punon sipas teknikave më të mira të disponueshme dhe standardeve të BE-së dhe se është nën mbikëqyrje të vazhdueshme të Inspektoratit të Mjedisit Jetësor.
“Inspektimi i fundit nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor, institucioni kompetent për të gjitha instalimet me leje ekologjike të integruara A, është kryer më 18 dhjetor 2025, me ç’rast inspektimi sërish konstatoi se nuk ka devijime nga kufijtë e lejuar ligjërisht”, potencojnë nga Titan Usje.
Ditëve të fundit reagoi edhe ish-kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska. Ajo akuzoi se Prokuroria Publike edhe pas tre vitesh nuk ka vepruar lidhur me kallëzimin penal për ndotjen që, sipas saj, ishte konstatuar te “Titan Usje”.
Ndërkohë që institucionet kompetente kërkojnë mënyra se si t’i mbrojnë qytetarët e Shkupit nga ajri i ndotur, nga shoqata “Stop për Usje-n” paralajmëruan se pas festave do t’i intensifikojnë aktivitetet e tyre. Ata thonë se ky është fillimi i fundit për fabrikën e çimentos.
