Gazetar: Suad Bajrami
Shtatë vite pasi u largua nga kompleksi i gjykatave të Shkupit, rikthehet përmendorja e figurës kontroverse historike Andon Llazov Qoseto. Vendi i ri ku prej mbrëmë po qëndron përmendorja është mes bulevardit “Aleksandar Makedonski” dhe “Bellasica”.
Iniciativa për rikthimin e përmendores së Qosetos ishte e kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ndërsa për të mbështetje ka dhënë Këshilli i Qytetit, i cili në dhjetor të vitit 2023 miratoi vendim me 23 vota “për” dhe 7 “kundër”.
“Me vendosjen e këtij monumenti në nder të revolucionarit maqedonas Andon Llazov Janev-Qoseto nderojmë shpirtin e tij të palodhur dhe sakrificën në luftën për një Maqedoni të lirë dhe të pavarur”, shkruan Arsovska.
Rivendosjen e monumentit të Qosetos e ka dënuar koalicioni VLEN duke e cilësuar si tentim për të nxitur tensione ndëretnike. Në mënyrë ironike, zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, falënderoi Arsovskën duke e cilësuar si mike të Bujar Osmanit e Blerim Bexhetit.
“Sa i përket përmendores, ju koftë përhajr dhe falënderojmë me ironi publikisht shoqen e Bujarit dhe Blerim Bexhetit, Danella Arsovskën me këtë të mirë që e ka bë dhe që janë në gjendje për t’i ngritur tensionet ndëretnike vetëm e vetëm për të marrë ndonjë pikë politike apo për ta shpëtuar veten nga humbja që i pret”, deklaroi Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër i parë.
Biografia e Qosetos ka qenë gjithmonë objekt polemikash dhe debatesh të ndryshme në opinion, me emrin e të cilit lidhen likuidime të shumta në VMRO-në historike, ndaj disa e konsiderojnë hero, e për të tjerët është vrasës gjakftohtë.
Monumenti i parë i Qosetos përballë kompleksit të gjykatës u vendos në natën ndërmjet 6 dhe 7 shtator 2014, si pjesë e projektit “Shkupi 2014”, dhe u raportua si donacion nga Shoqata për Bashkimin Shpirtëror të Setincëve, Popadincëve dhe Krushoradëve nga Lerini. Asnjë prej autoriteteve të mëparshme dhe as donatorëve të tij nuk doli me shpjegim pse monumenti i Qosetos në atë formë dhe me thikë në dorë u vendos pikërisht përballë Gjykatës Supreme dhe cila është simbolika e këtij akti.
Ministria e Kulturës më pas konstatoi shkelje të shumta ligjore gjatë vendosjes së monumentit, përfshirë shkeljet në Ligjin për Vendosjen e Monumenteve. Prokuroria Speciale e atëhershme hapi hetim edhe për të gjitha monumentet që ishin ngritur si donacion nga e njëjta shoqatë. Kjo shoqatë, gjatë qeverisjes së asaj kohe të VMRO-DPMNE-së, dhuroi edhe katër monumente të tjera në Shkup, si ato të gjeneralit Mihajlo Apostolski dhe revolucionarëve Pere Toshev, Gjorgi Sugarev dhe Nikola Rusinski. Opinioni nuk e mori vesh asnjëherë se ku siguroi fondet kjo shoqatë për ndërtimin e monumenteve. /Alsat.mk
The post Qyteti i Shkupit ka rikthyer përmendoren e Qosetos, figurës kontroverse historike maqedonase appeared first on Alsat.
