Pika kufitare e Rafah, që lidh Rripin e Gazës me Egjiptin, pritet të rihapet javën e ardhshme në të dy drejtimet, njoftuan sot autoritetet palestineze.
Lajmi u bë i ditur më 22 janar nga administratori i sapoemëruar i territorit palestinez, Ali Shaath, gjatë ceremonisë së nisjes së Bordit të Paqes të Presidentit amerikan Donald Trump.
Rihapja e Rafah është pjesë e planit të armëpushimit për Gazën, të shpallur në tetor, por deri më tani kalimi ka mbetur i mbyllur.
“Jam i lumtur t’ju njoftoj se pika kufitare e Rafah do të hapet javën e ardhshme në të dy drejtimet”, deklaroi Shaath gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos.
Sipas tij, për palestinezët e Gazës, Rafah është më shumë se një pikë kufitare. “Është një vijë jetike, simbol shprese dhe mundësish. Hapja e tij sinjalizon se Gaza nuk është më e mbyllur ndaj së ardhmes dhe botës”, theksoi Shaath.
Në kuadër të planit të armëpushimit, Shaath është emëruar në krye të një komiteti prej 15 teknokratësh palestinezë, të cilët do të mbikëqyrin administrimin e përditshëm të Gazës.
Pika e Rafah ka qenë kryesisht e mbyllur gjatë vitit 2025, pas marrjes së kontrollit nga ushtria izraelite në maj të vitit 2024. Mbyllja e saj ka përkeqësuar ndjeshëm krizën humanitare, duke kufizuar lëvizjen e civilëve, trajtimet mjekësore jashtë Gazës dhe hyrjen e ndihmave.
Gjatë vitit pati hapje të pjesshme dhe të përkohshme për raste humanitare, por pa funksionim të rregullt, për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe të sigurisë mes Izraelit, Egjiptit dhe aktorëve ndërkombëtarë.
Rafah mbetet pika e vetme kufitare e Gazës që nuk lidhet drejtpërdrejt me Izraelin dhe konsiderohet jetike për mbi dy milionë banorë, si lidhja kryesore me botën e jashtme.
