Një incident fizik ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në fshatin Bukoviq të Shkupit, ku dy persona janë sulmuar fizikisht pas një mosmarrëveshjeje të mëparshme.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, rasti është denoncuar të shtunën (23.05.2026) rreth orës 16:00 në SPB Shkup nga ana e 47-vjeçarit J.B. nga fshati Bojanë.

“Ai ka raportuar se më datë 22.05.2026, rreth orës 21:00 në fshatin Bukoviq, ai dhe kushëriri i tij A.B. (29) po ashtu nga Bojana, janë sulmuar fizikisht nga personat D.J., E.J., S.J. nga fshati Paniçar, të shoqëruar edhe nga disa persona të tjerë,” njofton Policia.

Gjatë përleshjes, përveç dhunës fizike, njëri nga agresorët ka përdorur një send të fortë duke dëmtuar edhe automjetin e denoncuesit.
Nga MPB shtohet se po merren të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe zbulimin e të gjithë personave të përfshirë.