Spitali kryesor në jug të Izraelit, Qendra Mjekësore Soroka në Beer Sheva, është goditur nga një raketë iraniane gjatë një vale të re sulmesh balistike. Një zëdhënës i spitalit konfirmoi se sulmi ka shkaktuar dëme të mëdha në disa prej ndërtesave të kompleksit dhe ka lënë dhjetëra persona të plagosur.
Në një deklaratë zyrtare, drejtuesit e spitalit u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos paraqiten në ambientet e Sorokës, për shkak të rrezikut nga sulmet e vazhdueshme dhe dëmtimet e shumta në infrastrukturë.
“Spitali ka pësuar dëme të konsiderueshme në disa sektorë të tij. Aktualisht po veprojmë vetëm me kapacitet emergjent,” – thuhet në deklaratën e institucionit.
Zëdhënësja e Qendrës Mjekësore Soroka deklaroi se po vlerësohet shkalla e dëmeve dhe numri i të plagosurve.
Ndërkohë, pas goditjes nga raketa, spitali është evakuuar, pasi dyshohet për një rrjedhje substancash të rrezikshme në katin e sipërm të ndërtesës. Policia ka nisur evakuimin dhe largimin e njerëzve nga zona përreth.
Ministri izraelit i Shëndetësisë, Uriel Buso, e denoncoi sulmin e drejtpërdrejtë të Teheranit ndaj Spitalit Soroka në Be’er Sheva si një kalim të “vijës së kuqe” dhe një krim lufte.
“Një akt terrori dhe kalim i një vije të kuqe. Një krim lufte i kryer qëllimisht nga regjimi iranian kundër civilëve të pafajshëm dhe personelit mjekësor të angazhuar në shpëtimin e jetëve njerëzore,” – deklaroi ministri Buso.
Qendra Mjekësore Soroka, që ndodhet në qytetin Beer Sheva, ofron shërbime shëndetësore për rreth 1 milion banorë të rajonit jugor të Izraelit dhe disponon mbi 1,000 shtretër, sipas faqes së saj zyrtare.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Sharren Haskel, ka dënuar sulmin e Iranit ndaj Spitalit Soroka, duke e cilësuar atë si “të qëllimshëm” dhe “kriminal”. Përmes një postimi në rrjetin social X, Haskel thekson se vendi i goditur nuk është një objekt ushtarak, por një spital – qendra kryesore mjekësore për të gjithë rajonin Negev në Izrael.
Presidenti izraelit Isaac Herzog dënoi ashpër këto sulme, duke përshkruar skena nga spitali: “Një foshnjë në kujdes intensiv, një nënë pranë shtratit të tyre, një mjek në lëvizje të shpejtë dhe një banor i moshuar në azil.” Ai tha se këto sulme goditën civilët dhe vlerat që Izraeli mbron.
Kryeministri Benjamin Netanyahu paralajmëroi se: “Izraeli do t’u kërkojë çmimin e plotë tiranëve në Teheran” pas sulmeve të drejtuara ndaj spitalit dhe zonave civile.
Në një postim në X, Netanyahu thotë: “Këtë mëngjes, tiranët terroristë të Iranit lëshuan raketa në Spitalin Soroka në Beersheba dhe në një popullsi civile në qendër të vendit.
