Kryeministri Edi Rama ka dënuar dëmtimin nga zjarri të godinës së Kolegjit të Europës në Tiranë, pas dhunës gjatë protestës. Në një mesazh nga ambientet e dëmtuara, ai bëri dallimin mes kërkesave të studentëve dhe veprimeve të dhunshme, ndërsa drejtoi akuza ndaj opozitës.

Rama e përshkroi institucionin si simbol të lidhjes së Shqipërisë me Europën dhe tha se shkatërrimi i tij nuk përfaqëson studentët apo aspiratat e tyre.

Sipas kreut të qeverisë, të rinjtë kërkojnë që vendi të ecë përpara më shpejt. Ai shprehu gatishmërinë për të biseduar me studentët, për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të kërkuar zgjidhje për problemet që ngrenë.

Në të njëjtin reagim, kryeministri akuzoi opozitën se po përdor dhunën për të penguar përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Sipas tij, dëmtimi i institucioneve synon ta kthejë vendin pas dhe bie ndesh me synimin për integrim europian.

Rama këmbënguli se Shqipëria do të vazhdojë rrugëtimin drejt BE-së, duke e cilësuar këtë si një aspiratë të shqiptarëve ndër breza.

/Monitor.mk