Shqipëria do të jetë 100 për qind gati për t’u ulur në tryezën e Bashkimit Evropian në vitin 2030, u shpreh kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në Konferencën e Ambasadorëve që nisi sot punimet në Tiranë. Ai paralajmëroi mbajtjen e samitit të NATO-s në Tiranë në vitin 2027. Rama tha se Shqipëria gjithashtu do të presë 44 liderë evropianë më vitin 2025 në Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Sipas kreut të qeverisë, zhvillimi i këtyre samiteve të rëndësishme në Tiranë as nuk mund të imagjinoheshin më parë.
“Në jemi një vend i vogël dhe vetëdija e përmasës është shumë e rëndësishme për të ruajtur modestinë por njëkohësisht edhe për të kuptuar në vazhdimësi domosdoshmërinë jetike që ne duhet të rritemi dhe të fuqizohemi si shtet dhe si komb dhe për këtë është e rëndësishme që në të ruhemi nga humbja e sensit e përmasës sonë që në të shkuarën ka çuar në eksese të padëshirueshme të shoqëruara me daullet e nacionalizmit folklorik dhe pastaj i ka kushtuar Shqipërisë në marrëdhëniet e veta ndërkombëtare. Por nga ana tjetër të ruhemi edhe nga kompleksi i inferioritetit për shkak të kësaj përmase pasi s’kemi asnjë arsye as për të parën e as për të dytën, por qoftë e para apo e dyta kanë qenë dy ngjyra që në mënyrë të vazhdueshme e kanë përcaktuar dhe kanë dëmtuar pozicionin tonë ndërkombëtarë dhe politikën tonë e jashtme”, deklaroi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.