Vazhdojnë protestat në Shqipëri. Pedagogët marshuan nga Universiteti Politeknik për të mbërritur në një qendër tregtare pranë Kuvendit, ku po zhvillohej seanca.

Pasi u përballën me gardhin metalik të vendosur nga policia, ata e shembën dhe më pas u përballën me forcat e FNSH, që ishin vendosur pak metra më pas.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale sërish lidhur me protestën, ku këtë herë është ndalur në numrin e policëve dhe protestuesve të lënduar gjatë protestës, duke sjellë edhe pasqyrimin e shifrave për shtetet e tjera që janë aktualisht në Europë në tubime.

Sipas Ramës Shqipëria, në krahasim me Francën, Spanjën, Gjermaninë dhe Rumaninë, ka më të lartë numrin e policëve të lënduar sesa të protestuesve.

Rama ka fajësuar median dhe rrjetet sociale që sipas tij kanë nxjerrë një tjetër pasqyrim nga ai që është në të vërtetë. Rama paralajmëroi se do të publikojë pamjen e studentëve që ai i vendos në thonjëza, që terrorizuan vendin sipas tij, duke thënë se nuk janë realisht studentë.