Nuk ka hapa konkretë nga Maqedonia në procesin eurointegrues, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit, përcjell TV21. Në të theksohet qartë se nuk është bërë asgjë për të miratuar ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, që është obligim nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë, dhe përmendet gjithashtu edhe zbatimi i Marrëveshjes me Greqinë, por siç theksohet, duhet të ketë vullnet të mirë nga të gjitha palët.
Në Raport thuhet gjithashtu se vendi ka vazhduar të punojë në udhërrëfyesit për sundimin e ligjit, reformat në administratën publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike, si dhe në planin e veprimit për mbrojtjen e pakicave. Megjithatë, edhe në këtë Raport shprehet shqetësim për mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Si moment pozitiv theksohet edhe fakti që Maqedonia vazhdon të harmonizohet plotësisht me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, gjë që dëshmon për zgjedhjen e saj strategjike.
“Përparim gjatë këtij viti është vërejtur në Maqedoni, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë, dhe arsyet janë të ndryshme. Komisioni do të vazhdojë t’i mbështesë në përpjekjet e tyre drejt BE-së”, tha Marta Kos – Komisionere Evropiane për Zgjerim.

